Lando Norris është fituesi i Çmimit të Madh të Britanisë, pas një gare dramatike dhe të paparashikueshme në Silverstone.

Piloti britanik i McLaren përfundoi i pari, përpara shokut të skuadrës Oscar Piastri, ndërsa surpriza më e madhe e garës ishte Nico Hülkenberg, i cili siguroi një podium sensacional për Kick Sauber, të parin në karrierën e tij.


Shiu ndryshon gjithçka

Gara nisi nën kushte të paqarta atmosferike. Edhe pse me diell, pista ishte ende e lagur, dhe gjashtë pilotë – George Russell, Charles Leclerc, Isack Hadjar, Gabriel Bortoleto, Oliver Bearman dhe Franco Colapinto – vendosën në momentin e fundit të startonin me goma të thata, duke nisur nga bokset. Kjo strategji rezultoi e pasuksesshme.

Në xhiron e dytë u aktivizua makina virtuale e sigurisë pas një kontakti mes Liam Lawson dhe Esteban Ocon, ndërsa në xhiron e gjashtë Bortoleto përfundoi në barrierat e pistës, duke shkaktuar sërish ndërprerje.

Gabime vendimtare: Verstappen dhe Piastri zhgënjejnë

Në periudhën e shkurtër me garë të lirë, Piastri kaloi Verstappenin në xhiron e tetë, i cili kishte nisur nga pole-position. Shiu i dendur filloi rreth xhiros së 10-të, duke detyruar të gjithë pilotët të futeshin në bokse për goma të lagura.

Nga xhiro e 14-të, shiu intensifikohet dhe aktivizohet makina e sigurisë, që qëndroi në pistë deri në xhiron e 17-të – për t’u rikthyer menjëherë pas një aksidenti të Hadjar.

Në xhiron e 21-të, pas rifillimit të garës, Verstappen bëri një gabim të rëndë dhe u rrotullua në pistë, duke rënë në vendin e 10-të.

Pak më parë, edhe Piastri kishte gabuar rëndë duke bërë një ndalesë të paligjshme nën kushte sigurie – për të cilën mori një penalizim prej 10 sekondash. Kjo situatë i hapi rrugën Norrisit, i cili kaloi në krye dhe ruajti epërsinë deri në fund.

Podiumi i parë për Hülkenberg pas 238 garash

Mrekullia e ditës ishte Nico Hülkenberg. Piloti gjerman 37-vjeçar, i cili mban rekordin për më shumë gara (238) dhe pikë (577) pa një podium, më në fund e theu mallkimin.

Nisur nga vendi i 19-të, ai zhvilloi një garë perfekte – me strategji të zgjuar dhe kohë të sakta – që e çuan në podiumin e parë në karrierë.

Norris ngushton diferencën me Piastrin

Fitorja e Norrisit bën që ai të afrohet ndjeshëm me Piastrin në renditjen e përgjithshme, duke ngushtuar diferencën në vetëm tetë pikë. Me formën aktuale, beteja mes dy pilotëve të McLaren pritet të jetë një nga më të zjarrtat e këtij sezoni. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app