Laksativët janë barna që përdoren për lehtësimin e kapsllëkut, një gjendje që sjell fryrje, parehati dhe ndjesi të moszbrazjes së plotë të zorrëve. Ato veprojnë në mënyra të ndryshme - disa zbusin jashtëqitjen, të tjerët stimulojnë lëvizjen e zorrëve ose rrisin sasinë e ujit në zorrën e trashë

Në barnatore gjenden preparate të ndryshme, nga ata me fibra deri te laksativët stimulues, klizmat apo supozitorët. Përdorimi i gabuar ose i tepruar mund të shkaktojë efekte anësore dhe madje të përkeqësojë kapsllëkun.


Kush ka nevojë për laksativë

Laksativët përdoren kur ndryshimet në stilin e jetesës, si rritja e fibrave, probiotikët, aktiviteti fizik dhe hidratimi, nuk sjellin përmirësim. Nevoja për ta rritet edhe në rastet me sëmundje kronike të zorrëve, si sëmundja e Kronit apo koliti ulceroz, ose para procedurave mjekësore që kërkojnë pastrim të zorrëve.

Megjithatë, ato nuk janë të përshtatshëm për të gjithë: gratë shtatzëna duhet të konsultohen me mjekun, ndërsa fëmijët duhet t’i marrin vetëm me rekomandim të pediatrit. Disa lloje mund të ndikojnë në efektin e barnave të tjera, ndaj kërkohet kujdes në kombinime.

Si veprojnë laksativët

Laksativët ndikojnë në sistemin tretës duke ndihmuar zbrazjen e zorrëve: disa zbusin jashtëqitjen, të tjerët aktivizojnë muskujt e zorrës së trashë, dhe disa kombinojnë të dyja efektet. Efekti varet nga lloji i laksativit dhe mënyra e përdorimit, sipas Cleveland Clinic, përcjell Telegrafi.

Llojet kryesore të laksativëve

Laksativët që formojnë masë shtojnë fibra të tretshme që tërheqin ujë në zorrë. Kjo e bën jashtëqitjen më të madhe dhe më të butë, duke stimuluar zbrazjen. Janë më të butët dhe me më pak efekte anësore (psiliumi, polikarbofili, metilceluloza)
Laksativët osmotikë tërheqin ujë drejt zorrës së trashë dhe zbusin masën fekale. Tek grupi “kripor”, kripa mban ujin brenda zorrës duke shpejtuar efektin (polietilen glikoli, hidroksid magnezi, glicerina)
Zbutësit e jashtëqitjes rrisin sasinë e ujit dhe yndyrës në stol, duke e bërë më të butë dhe të lehtë për dalje (docusate sodium)
Laksativët lubrifikues krijojnë një shtresë rrëshqitëse që parandalon humbjen e ujit nga jashtëqitja dhe lehtëson kalimin e saj (vaji mineral)Laksativët stimulues aktivizojnë nervat që nxisin lëvizjen e zorrës së trashë. Përdoren zakonisht kur llojet e tjera nuk japin rezultat (bisakodil, sena)

Si merren laksativët dhe sa shpejt veprojnë

Laksativët duhet të merren pikërisht sipas udhëzimit. Disa merren natën, disa me ushqim, ndërsa disa nuk duhen kombinuar me barna të caktuar. Tejkalimi i dozës mund të çojë në mbidozë, madje edhe me preparatet pa recetë.

Koha e veprimit ndryshon:

  • klizmat dhe supozitorët: 15 minuta – 1 orë
  • lubrifikantët: 6 – 8 orë
  • stimuluesit: 6 – 12 orë
  • zbutësit e jashtëqitjes: 12 orë – 3 ditë
  • laksativët që formojnë masë: 12 orë – 3 ditë
  • osmotikët: 1 – 3 ditë (kripor: 30 min – 6 orë)

Efektet anësore dhe rreziqet

Laksativët që tërheqin ujë mund të shkaktojnë dehidratim, ndaj kërkohet marrja e mjaftueshme e lëngjeve. Përdorimi i zgjatur i laksativëve stimulues mund të dobësojë muskulaturën e zorrës së trashë dhe të përkeqësojë kapsllëkun.

Efektet e zakonshme anësore përfshijnë: fryrje, gazra, krampe dhe dehidratim. Teprimi mund të shkaktojë komplikime serioze si çrregullime elektrolitike, kapsllëk kronik, bllokim të zorrëve apo diarre të rëndë.

Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore

Konsultimi me mjekun është i domosdoshëm kur laksativët nuk japin efekt, ose kur ka dyshime për përdorimin e tyre të sigurt. Nëse asnjë masë nuk sjell lehtësim, duhet kërkuar ndihmë mjekësore për të identifikuar shkakun fillestar të kapsllëkut dhe për të marrë trajtim të duhur. /Telegrafi/