Site icon Telegrafi

‘Lady’ hap lokalin në Prishtinë me punime artizanale, vajzat dhe gratë mund të shesin gjërat e tyre

Organizata joqeveritare ‘LADY’ ka hapur një lokal në Prishtinë që ofron mundësi për vajzat dhe gratë që të shesin punimet e tyre artizanale, duke iu ofruar atyre një hapësirë për t’i promovuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre kreative.

Ky projekt ka për qëllim mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë, duke i mundësuar atyre që të kenë një burim të ardhurash dhe të kontribuojnë në forcimin e pozicionit të tyre në shoqëri.

Drejtoresha e organizatës ‘LADY’, Sanija Murati, në një intervistë për Telegrafin, shpjegoi se kjo nismë ka lindur nga nevoja e grave për një hapësirë ku ato mund të shesin dhe promovojnë produktet e tyre artizanale.

Ajo theksoi se shumë gra që merren me artizanat shpesh hasin vështirësi në gjetjen e mundësive për të tregtuar produktet e tyre dhe se ky lokal ka për qëllim ta zgjidhë këtë problem.

Me hapjen e këtij lokali, gratë mund të shesin punimet e tyre në një ambient të sigurt dhe mbështetës, ku mund të ndihmohen gjithashtu për zhvillimin e aftësive të tyre përmes trajnimeve që organizata ofron.

“Lady është shtëpia e vetme këshilluese për gratë në Kosovë dhe jemi tu punu me gratë të vendeve të ndryshme, fshatrave të ndryshme që gati njëzet vjet, ky është projekt në bashkëpunim me UNMIK-un dhe Komunën e Prishtinës, edhe me vite kemi punu me me gratë fshatrave dhe vendeve rurale edhe nevojat atyre janë kanë ku me promovu punën e vet. Ku me plasu punën e vet qysh me shit produktet veta, normal me një qëllim, i cili faktikisht edhe Lady ka si qëllim primar për zhvillimin ekonomik gratë e Kosovës”, theksoi ajo.

Murati u shpreh se në lokal kanë produkte të ndryshme, e ku kanë kontribuar të gjitha gratë e komuniteteve me produktet të shumëllojshme.

Gjithashtu, në intervistë ajo deklaroi se do të vazhdojnë edhe me pikën e dytë të projektit, e që përfshin një kombi, ku poashtu do të shiten produktete ushqimore të grave.

“Edhe pika e tretë është hapja e platformës, për shkak se shumë njerëz janë shumë e nxënë në këtë kohë  edhe nuk kanë mundësi me na vizitu, po do të kanë mundësi për me hapë me një klikim një platformën edhe mujtë me shitë produkte të cilat na krejt kemi me plasu”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e organizatës ‘LADY’, Sanija Murati, theksoi se hapja e këtij lokali ofron mundësinë që gratë të njoftohen më mirë me njëra-tjetrën dhe të krijojnë lidhje të qëndrueshme. Ajo e vlerëson këtë hap si një mundësi për ndihmuar gratë që të ndërtojnë një rrjet mbështetës dhe të shkëmbejnë përvoja dhe njohuri të ndryshme.

Në intervistë, Murati shpjegoi më tej se të gjitha gratë që janë të interesuara mund të bashkohen në këtë projekt. Sipas saj, procesi i pranimit fillon me anëtarësimin në organizatën ‘LADY’, ku gratë mund të regjistrohen dhe bëhen pjesë e iniciativës. Pas anëtarësimit, ato kalojnë në një fazë trajnimi ku përgatiten për krijimin e produkteve artizanale. Kjo është një mundësi për t’u zhvilluar profesionalisht,  e që më pas ato fitojnë edhe financiarisht./Telegrafi/

Exit mobile version