Këngëtarja australiane, Kylie Minogue, është detyruar të anulojë katër data të turneut të saj evropian “Tension Tour”, pasi u diagnostikua me laringjit – një inflamacion i kordave vokale që ndikon drejtpërdrejt në zërin e saj.

Minogue, 56 vjeçe, njoftoi përmes Instagramit se do të pezullojë përkohësisht performancat e planifikuara në Berlin, Lodz, Kaunas dhe Tallinn.


“Ia dola të përfundoj pjesën e Mbretërisë së Bashkuar të turneut, por për fat të keq kam kapur një infeksion viral dhe tani përballem me laringjit”, shkroi ajo.

“Kam nevojë për disa ditë pushim që të shërohem plotësisht dhe të kthehem më e fortë në skenë”, shkruan DailyMail.

Artistja i kërkoi ndjesë fansave për shtyrjen e koncerteve dhe i siguroi ata se po punohet për të gjetur data të reja. “Ju lutem mbani biletat. Do të ju informojmë sa më shpejt për datat e ricaktuara. Ju dua të gjithëve dhe mezi pres të rikthehem tek ju”, përfundoi ajo.

Turneu “Tension” është një nga më të rëndësishmit për Kylie-n në vitet e fundit, dhe përfshin një repertor të pasur që përfshin hitet klasike si “Spinning Around”, “Can’t Get You Outta My Head” dhe suksesin më të fundit “Padam Padam”, i cili i dha këngëtares një valë të re famë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo pauzë e papritur vjen në një moment kur Minogue po shijon një rilindje në karrierë, me një rezidencë në Las Vegas dhe çmime ndërkombëtare, përfshirë edhe një ‘Grammy’ të fituar për kategorinë elektronike.

Sipas ekipit të saj, performancat do të kthehen sapo Kylie të jetë plotësisht e shëndetshme dhe e gatshme për t’u rikthyer me energjinë që e karakterizon. /Telegrafi/