Sipas lexuesve të gazetës britanike The Telegraph, Zelanda e Re është shpallur si vendi më i mirë në botë për vitin 2025

Mbi 20.000 lexues morën pjesë në votimin për çmimet prestigjioze Telegraph Travel Awards, të cilat konsiderohen si një tregues i rëndësishëm i atraktivitetit turistik dhe cilësisë së jetës në vende të ndryshme të botës.


Që nga themelimi i këtyre çmimeve në vitin 1998, vetëm pesë vende kanë fituar titullin si destinacioni më i mirë dhe këtë vit Zelanda e Re është rikthyer në majën e listës.

Ky vend tërheq vizitorë nga e gjithë bota përmes sigurisë së lartë, pasurive natyrore dhe identitetit të theksuar kulturor, përfshirë trashëgiminë e pasur të Maorëve dhe vallëzimin tradicional haka, tashmë të njohur në mbarë botën.

Zelanda e Re njihet gjithashtu për peizazhet mahnitëse, që shpesh shërbejnë si skena filmike, përfshirë trilogjinë e famshme Lord of the Rings. Majat e larta malore, plazhet me rërë të zezë, fjordet dhe vreshtat krijojnë një përvojë të veçantë natyrore që lë mbresa të thella te vizitorët.

Sa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit, Kroacia renditet më së larti në listë (vendi i 26-të), e ndjekur nga Sllovenia (43) dhe Mali i Zi (46), transmeton Telegrafi.

Top 10 vendet më të mira sipas Telegraph Travel Awards 2025: Zelanda e Re, Japonia, India, Afrika e Jugut, Greqia, Australia, Peruja, Maldivet, Kostarika, Botsvana.

Zelanda e Re - vendi ku natyra dhe kultura bashkëjetojnë në harmoni

Zelanda e Re është një nga vendet më të izoluara dhe më unike në botë. E vendosur në Oqeanin Paqësor, në juglindje të Australisë, ky vend ishullor përbëhet nga dy ishuj kryesorë, Ishulli i Veriut dhe Ishulli i Jugut, si dhe një sërë ishujsh më të vegjël.

Natyra e saj është e jashtëzakonshme dhe shumëllojshme: nga malet e mbuluara me dëborë, liqenet kristalorë dhe pyjet e dendura, deri te plazhet e arta dhe vullkanet aktive. Pikërisht këto peizazhe magjepsëse u shndërruan në skenografi për filmat “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”, duke e kthyer Zelandën e Re në një destinacion të preferuar për turistët nga mbarë bota.

Ky vend është gjithashtu shtëpia e shumë specieve endemike që nuk gjenden askund tjetër në planet. Një ndër më të veçantat është kiwi, zogu simbol i Zelandës së Re, një shpend i vogël, pa flatra, aktiv gjatë natës. Nga ky zog, banorët e vendit kanë marrë nofkën “kiwi”, që përdoret me krenari nga vetë zelandezët.

Zelanda e Re njihet edhe për mungesën e gjarpërinjve të egër, gjë që e bën një nga vendet më të sigurta për adhuruesit e natyrës dhe kampingut. Për më tepër, në disa rajone bregdetare, numri i penguinëve është më i madh se ai i njerëzve, një përvojë e rrallë për vizitorët.

Kultura e vendit është e pasur me traditat maore, popull autokton që ka ruajtur gjuhën, mitologjinë dhe ritmet e veta të jetës. Në shkolla dhe institucione publike shpesh dëgjohen këngët tradicionale waiata, ndërsa haka, vallja luftarake, është kthyer në një simbol kombëtar, sidomos para ndeshjeve të ragbit.

Zelanda e Re ishte gjithashtu vendi i parë në botë që u dha grave të drejtën e votës, në vitin 1893, një moment historik në përparimin demokratik botëror.

Së fundi, ndonëse ka një popullsi prej vetëm rreth 5 milionë banorësh, vendi numëron mbi 25 milionë dele, duke e bërë blegtorinë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë. /Telegrafi/