LAJMI I FUNDIT:

Ky është mali më i lartë i plehrave në botë

Ky është mali më i lartë i plehrave në botë

I njohur si Mali i Mbeturinave të Delhit, Deponia Ghazipur mbulon një sipërfaqe prej rreth 70 akresh (mbi 28 hektarë) dhe është gati po aq e lartë sa Taj Mahali.

E themeluar në vitin 1984, në periferi të Ghazipur, në rajonin lindor të Delhit, deponia Ghazipur arriti kapacitetin e saj maksimal në vitin 2002, por që nga atëherë është rritur në një mal të vogël deri në 72 metra të lartë.

Ajo është tashmë një nga deponitë më të mëdha në botë, por vazhdon të pranojë qindra tonelata mbeturina nga Delhi çdo ditë dhe pritet të rritet edhe më shumë. E përbërë nga më shumë se 14 milionë ton mbeturina, Deponia Ghazipur ka qenë prej kohësh një plagë për miliona njerëz që e quajnë Delhin shtëpi.


Erë e keqe që ajo emeton është pothuajse e padurueshme, veçanërisht gjatë verës, shpërthejnë zjarre që përfshijnë zonën përreth me një tym të dendur dhe toksik, dhe shpatet e saj të ngritura shpesh shemben duke varrosur njerëzit dhe makinat nën miliona ton mbeturina.

Në shtator 2017, më shumë se 50 milionë ton mbeturina ranë kur një pjesë e malit të mbeturinave u shemb, duke varrosur dhjetëra njerëz dhe vetura, dhe në prill 2024 shpërtheu një zjarr i madh në deponi, duke krijuar një tym të dendur që shkaktoi probleme të mëdha shëndetësore dhe të frymëmarrjes në zonën përreth.

Duke u ngritur mbi Delhin, Deponia Ghazipur duket si një kodër natyrore nga larg, por kur iu afrohesh, vetëm era e saj është mjaftueshëm për të zbuluar origjinën e saj të vërtetë – mbeturina të prodhuara nga njeriu.

Ky “Everest i Mbeturinave” mund të duket mbresëlënës për nga madhësia e tij, por problemet që shkakton për mjedisin dhe popullatën lokale nuk janë për t’u bërë shaka. Fatkeqësisht, pavarësisht premtimeve nga autoritetet lokale për të zbutur dëmet që shkakton Deponia Ghazipur, askush nuk ka arritur ta ndalojë rritjen e saj. Delhi prodhon më shumë se 11 mijë ton mbeturina çdo ditë, shumica e të cilave mbërrijnë këtu, duke e bërë malin e mbeturinave edhe më të madh. /Telegrafi/