LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi nuk e dyfishon buxhetin për rrugën Prishtinë-Podujevë

Kuvendi nuk e dyfishon buxhetin për rrugën Prishtinë-Podujevë

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar amendamentin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni për dyfishimin e buxhetit për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Deputeti i mazhorancës, në seancën e sotme ku po shqyrtohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2023, tha se në kodet buxhetore për rrugën Prishtinë-Podujevë duhet të shtohen edhe gjashtë milionë euro.

Dyfishimi i buxhetit për këtë rrugë, Hyseni tha se është domosdoshmëri për qytetarët në atë pjesë.


“Projekti ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, të shtohet shuma prej gjashtë milionë euro, shumës aktuale që është planifikuar në buxhetin për vitin 2023. Pra të dyfishohet dhe të kemi 12 milionë euro gjithsej për këtë projekt”, tha ai.

Megjithatë, këtë amendament nuk e mbështetën bashkëpartiakët e Hysenit në Grupin Parlamentar të LVV-së, përveç shtatë deputetëve që janë nga rajoni i Podujevës. Ndërkaq, partitë opozitare u shprehën pro tij.

Derisa i paraqiti rezultatet e votimit të këtij amendamenti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ky propozim nuk kalon për gjysmë vote.

“Për gjysmë vote nuk kalon, 75 deputetë kanë votuar, 37 për, 34 kundër, katër kanë abstenuar. S’kalon amendamenti 28”, deklaroi ai.

Amendament të ngjashëm për dyfishimin e buxhetit për rrugën Prishtinë-Podujevë paraqiti edhe deputeti i PDK-së, Isak Shabani. /KP/