Kuvendi i Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik.
Deputetët fillimisht kanë votuar për secilin amendament të dalë nga Komisioni për Administratë Publike për këtë Projektligj.
Fillimisht kryetari i Komisionit, Nait Hasani, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë amadamentet Projektligjit.
“Kemi njëri ndër ligjet më të rëndësishëm, Ligjin për Pagat në sektorin publik. Ato që i ka miratuar Komisioni pres që t’i përkrahni. Ka pasur një anarki të pagave, për këtë kërkojë që ky Projektligj të miratohet. Shumica e amendamenteve janë inkorporu. Kemi pasur presione nga institucione të ndryshme që t’i rris pagat. Parimi i Ligjit është që t’i nivelizojë pagat në të gjitha sektorët”, tha Hasani.
Gjithashtu në Kuvend po shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe projektligje të tjera.
Ndryshe, Projektligji për Paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta gjatë javëve të fundit.
Në shenjë pakënaqësie me këtë Projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.
Në seancën e sotme pati debate të ashpra për pragun e pagës dhe çështjen e mos trajtimit të njëjtë të ndërmarrjeve publike.
Në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Projektligjin e Pagave, kanë debatuar gjatë për pagat e menaxhmentit të Fondit Pensional të Kosovës (Trust).
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar një amandament, i cili zëvendësministrave ua mundëson edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.
Me mbi 40 vota, deputetët kaluan amandamentin i cili i shpërblen me pagë kalimtare zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, deputetët kanë kaluar amendamentin për rritjen e koeficientit për 0.1 përqind për mësimdhënësit universitarë, ndërsa nuk ka kaluar propozimi për rritjen e pagës së shefit të Agjencisë Anti-Korrupsion.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Projektligji për Buxhetin, Projektligji për Dialogun dhe Projektligji për Pagat në sektorin publik, janë shembujt më të mirë se kjo pakicë qeverisëse e ka jetike mbetjen në pushtet duke shkelur të gjitha parimet.
LDK, përmes një komunikate, thotë se koalicioni është i varur nga kushtëzimet joparimore të PSD dhe në mënyrë indirekte nga Lista Serbe.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim të seancës kishte paralajmëruar se Projektligjin e Pagave do t’u rriten pagat të gjithë mësimdhënësve, personelit shëndetësor, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë dhe të gjitha kategorive tjera në sektorin publik.
Veseli nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se tani, fokusi do të jetë në sektorin privat, për rritjen e prodhimit vendor dhe nxitjen e ndërmarrësisë të hapë vende të reja pune dhe me paga më të larta.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, thotë se beson se do të votohet Projektligji i Buxhetit për vitin 2019.
Hamza tregon se në rend dite është edhe vendimi për zgjatjen buxhetore.
Krahas Ligjit për pagat, Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme, deri tash ka miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligji për Administratën Publike dhe agjencitë e pavarura. /Telegrafi/