Site icon Telegrafi

Kuvendi mban seancën plenare të radhës të enjten më 26 maj

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari Glauk Konjufca.

Në këtë mbledhje, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve parlamentare, u vendos që seanca e re plenare të mbahet të enjten, më 26 maj, duke filluar nga ora 10:00.

“Në rend dite në seancën e së enjtes do të jenë: deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-070 për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-027 për Mbeturinat nga Industritë Nxjerrëse të Mineraleve, zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit, si dhe zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kryesia vendosi që të rishpallet konkurs për dy (2) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare, si dhe për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare u pajtuan që në mbledhjen e radhës së Kryesisë t’i propozojnë emrat e anëtarëve për Komisionin Ad -hoc për reformën zgjedhore, të cilët më pas do të votohen në seancë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj, përfshirë edhe procedimin e Rregullores së re të Kuvendit për miratim në lexim të dytë. ​/Telegrafi/

Exit mobile version