Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të dekretohet, as të hyjë në fuqi si dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të kësaj gjykate.
Kryetarja e Kushtetueses, Gresa Caka-Nimani, në një letër të dërguar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publikë i kontestuar nga 11 deputetët të cilët kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, nuk mund të hyjë në fuqi deri në vendimin final.
Gjykata ka kërkuar nga kryeparlamentari Konjufca që para se të marrë çfarëdo veprimi për Ligjin për Zyrtarët Publikë të merret parasysh Neni 42.2 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo dispozitë kushtetuese nënkupton që ligji që kontestohet në Gjykatën Kushtetuese nga dhjetë ose më shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të dekretohet, të hyjë në fuqi ose të prodhojë efekte ligjore deri në vendimin final të Gjykatës lidhur me çështjen e ngritur pranë saj”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses dërguar Kuvendit.
Kryetarja e Kushtetueses gjithashtu ka kërkuar që njoftimi t’iu shpërndahet të gjithë deputetëve.
Këta të fundit thuhet se mund të dërgojnë komentet e tyre për Ligjin për Zyrtarët Publikë deri më 23 janar 2023.
Ndryshe, Ligji për Zyrtarët Publikë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese një javë pas miratimit.
Kontestimin e tij në këtë instancë të shtetit e kanë bërë dy partitë opozitare, PDK e LDK. /Telegrafi/