Kurti viziton “Ditën e Aronisë Organike” në Prizren: Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për bujqësinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot Prizrenin me rastin e “Ditës së Aronisë Organike”, ku u takua me fermerë dhe prodhues të këtij sektori që po rritet me ritme të shpejta në Kosovë.
Kurti theksoi se kultivimi i aronisë në Kosovë ka filluar në vitin 2011 dhe falë përkushtimit të fermerëve dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ky sektor ka marrë një formë të qëndrueshme.
Ai njoftoi se aktualisht rreth 90 fermerë kultivojnë mbi 100 hektarë tokë me aroni në vend.
“Aty ku ka punë, bashkëpunim dhe plan pune, rezultatet nuk mungojnë”, tha Kurti, duke shtuar se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë fermerët, bizneset agro-ushqimore dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë organike.
Kryeministri vizitoi edhe kompaninë “Aronica”, ku tha se kishte provuar lloje të ndryshme të lëngjeve të aronisë dhe mbeti i impresionuar nga cilësia e tyre. /Telegrafi/



















































