Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua dje me përfaqësues të shoqatave të diasporës sonë në Venecia të Italisë.

Zyra e kryeministrit njofton se në takim janë diskutuar për disa tema, transmeton Telegrafi.


"Në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve por edhe të mirëqenies sociale. U bashkëbisedua gjithashtu për mërgatën tonë si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian", thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se "Kryeministri radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomik, ku përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave, rritjen e qarkullimit të bizneseve".

ZKP ZKM 23 9 2024 3

"Ai shtoi se si Qeveri jemi përkujdesur që zhvillimi ekonomik të shpërndahet te të gjithë qytetarët pa dallim, përmes masave të ndryshme ekonomike të ndërmarra, për të ndihmuar nënat, studentët e familjet, por edhe tejkalimin e krizave globale me të cilat jemi përballur".

Duke shprehur vëmendjen e Qeverisë ndaj diasporës dhe kontributin ekonomik madhor të saj për vendin përmes investimeve në Kosovë dhe punës në programe të ndryshme, kryeministri theksoi dhe iniciativat e ndërmarra nga Qeveria për diasporën, si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.

Kryeministri i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për takimin dhe bashkëbisedimin e ngrohtë. /Telegrafi/