Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë takimit u shpreh vlerësimi për kontributin e EULEX-it në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vend.


Palët diskutuan sfidat e vazhdueshme në sistemin gjyqësor, duke përfshirë vonesat në trajtimin e rasteve, menaxhimin joefikas dhe mungesën e konsistencës në vendimmarrje.

U theksua nevoja për reforma të thella që rrisin disiplinën, llogaridhënien dhe efikasitetin e gjyqësorit.

Një fokus i veçantë i takimit ishte digjitalizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial. U ra dakord se sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve duhet të zbatohet nga të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, duke përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien.

Kurti riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për sundimin e ligjit dhe vazhdimin e reformave që sigurojnë drejtësi efikase dhe transparente, duke e konsideruar EULEX-in një partner të rëndësishëm në këtë proces.