Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen disa hapa të rëndësishëm institucionalë, duke theksuar se takimi me presidenten përbën hapin e katërt në këtë proces.

Në një prononcim për media, Kurti sqaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, vendi duhet të kalojë nëpër tri faza paraprake.


“Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi takuar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj formimi i qeverisë dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe kemi planin e rritjes së BE-së, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante, ndërkaq 70 për qind janë kredi”, theksoi ai.

Duke folur për raportet me opozitën, kryeministri nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët, çka sipas tij përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, ai theksoi se për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit apo presidentes, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm.

“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë neve se a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë, nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/