Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin në detyrë, Taulant Kelmendi, mirëpritën nxënësit e Ekipit të Kosovës në Olimpiadën e Shkencës NEO, e cila u mbajt në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në mesin e 300 nxënësve nga 30 vende, nxënësit nga klasa e III deri në XII fituan gjithsej 16 medalje, prej tyre gjashtë të arta, tre të argjendtë dhe shtatë të bronzta, si dhe zënë shtatë vende në kategorinë "Më të mirët e më të mirëve", në garat e matematikës, shkencës, biologjisë, kimisë, kodimit dhe inteligjencës artificiale.


"Kryeministri Kurti dhe zëvendësministri Kelmendi i uruan nxënësit dhe mësuesit për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe dhanë mbështetjen e plotë institucionale në rrugëtimin e tyre shkencor dhe profesional. Gjatë takimit, nxënësit ndanë kujtimet dhe përvojat e tyre më të mira gjatë qëndrimit në Orlando dhe pjesëmarrjes në këtë olimpiadë ndërkombëtare", thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e 277-të të Qeverisë, kabineti qeveritarë kishte ndarë 25,925 euro për pjesëmarrjen e Ekipit të Kosovës në NEO Science Olympiad, përkatësisht pjesëmarrjen e 15 nxënësve në Olimpiadën e Shkencës dhe Kodimit NEO, të planifikuara të mbahen në Orlando të ShBA-së, nga data 10 janar, deri më datë 15 janar 2026. /Telegrafi/