Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritën sot në Qeveri studentë përfitues të skemave të ndryshme të bursave, përfshirë bursat për studime jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe përfituesit e bursave të komuniteteve.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit, Kurti uroi studentët për suksesin e arritur dhe nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që synojnë shkollimin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.


"Ai theksoi se investimi në arsim cilësor mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke shprehur besimin se këta të rinj do të jenë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe shoqëror të vendit pas përfundimit të studimeve", thuhet në njoftim.

Ndërsa ministrja Nagavci vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e studentëve fitues të bursave, duke theksuar se skemat mbështetëse për studentët përfaqësojnë investim të drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor të Kosovës.

"Në vijim rikujtoi se gjatë pesë viteve të fundit MAShTI ka zgjeruar ndjeshëm skemat e bursave, si për studentët brenda vendit ashtu edhe për ata që studiojnë jashtë dhe theksoi përkushtimin për të vazhduar punën drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të mundësive për studentët"

Studentët përfitues shprehën mirënjohjen për mbështetjen e ofruar dhe vlerësuan mundësinë për të ndjekur studimet në universitete brenda dhe jashtë vendit. Ata theksuan se do t’i vënë njohuritë e fituara në shërbim të avancimit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe MAShTI rikonfirmuan përkushtimin për të vazhduar politikat mbështetëse që u mundësojnë të rinjve të vendit të përfitojnë nga arsimi cilësor në vend dhe jashtë tij, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të shtetit. /Telegrafi/