Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur me vendim unanim Albin Kurtin kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë, pas dështimit të formimit të qeverisë së re, për të cilën, sipas VV-së, fajore janë partitë e tjera politike në Kuvendin e konstituuar pas shumë muajsh ngërçi politik.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, gjatë prezantimit para delegatëve, e përshkroi Kurtin si kandidatin më të merituar nga radhët e partisë dhe fajësoi partitë opozitare për dështimin e qeverisë Kurti 3:


“Qëllimi ynë themelor kurrë nuk ka qenë që të ecim vetëm. Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte që të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në koalicionin demokratik. E bëmë me ftesat tona, por u refuzuam, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës ta bënin këtë, por ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë qeverinë, andaj qytetarët pyesin çka duan këta në të vërtetë".

"...Ata vetëm duan të bllokojnë gjithçka, ashtu që dobësimi shtetit të duket si dobësim i Vetëvendosjes. Kjo është agjendë e dëmshme, do ta quaja antishtetërore...Edhe nëse nuk ka buxhet, as paga për punëtorë, nuk ka lidhje thonë, ata, me rëndësi është që Albin Kurti të dështojë...Po mendojnë se kështu e rrisin mbështetjen në popull, e pabesueshme...Ne jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e VV-së. Unë do ta votojë më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë parlamentare, më meritorin”, tha Konjufca.

Ai shtoi se askush më shumë në Vetëvendosje nuk e meriton kandidaturën sesa Kurti:

“Duke e propozuar atë për kryeministër, ne së më miri i qëndrojmë besnik pritjeve që i kanë qytetarët tanë. Sa i përket kundërshtarëve politikë, vetëm një gjë ata nuk mund ta bllokojnë, nuk mund ta bllokojnë vullnetin e popullit dhe këtë më së miri do ta kuptojnë më 28 dhjetor”, tha Konjufca.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe fajësoi partitë e tjera për krizën politike dhe përpjekjet për të krijuar krizë sociale:

“Këto parti krizën legale tani duan ta shndërrojnë në krizë sociale, njerëzit të mbeten pa para, të shkaktohen deficite buxhetore, mungesë të pagesave për operatorë ekonomikë. Dëshirojnë që ta shndërrojnë në krizë social, sepse krizë financiare në vendin tonë nuk ka...Na akuzojnë se të tjerët na e kanë bërë qeverinë me 20 e 30 për qind, por ne refuzojmë të bëjmë qeveri të pazareve...Me mua mund të bashkëpunojnë për të adresuar hallet e qytetarëve, por jo ku të kemi marrëveshje ku ndahen terminalet dhe postet e ambasadorëve...Ne i kemi fituar zgjedhjet rregullisht dhe ne do të fitojmë edhe më 28 dhjetor”, tha Kurti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 28 dhjetor, pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3, ndërsa VV-ja mbetet partia e vetme që ka nominuar kandidatin për kryeministër./Telegrafi/