Kurti nderon dëshmorët e Rogovës, Goden dhe Bishtazhit: Zbulohet Medaljoni për Ilir Merturin në Klinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulesës së medaljonit të kujtesës për Ilir Merturin në qytetin e Klinës, në parkun që mban gjithashtu emrin e tij.
Ky akt u realizua në kujtim të viktimave të tragjedive të fundjavës së janarit 1999, kur forcat serbe vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës.
Sipas Kurtit, 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Vesel Avdylin, Naim Gashin dhe Ilir Merturin, ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërsa nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë.
“Medaljoni i kujtesës që zbuluam sot për Ilir Merturin është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është gjithashtu kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre”, tha Kurti.
Kryeministri u përkul me nderim para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe riafirmoi zotimin për dinjitet qytetar, drejtësi shoqërore dhe paqe të sigurt në Republikën e Kosovës.
“Lavdi dëshmorëve Merturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar! Nderim të gjithë martirëve të lirisë”, shtoi Kurti.
Ceremonia në Klinë shërben si një kujtesë e përhershme e sakrificës së dëshmorëve dhe përpjekjes për të ruajtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.




















































