LAJMI I FUNDIT:

Kur telefoni të tregon se çfarë duhet të mendosh!

Kur telefoni të tregon se çfarë duhet të mendosh!
Ilustrim

Nga: Kamal Ahmed / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kërkimin në Google e përdor për çdo ditë. Këtë javë, për shembull, për të zbuluar se sa kohë më duhet për të shkuar në Uest-Uitering nga Londra (planifikoja një udhëtim me nënën time në bregdet), ose nëse Uest-Biqi, pak më tej lumit Arun nga Litëlhamptoni, është opsioni më i mirë.

Nëna ime nuk është në lule të rinisë, kështu që duhet të marr parasysh sa mund të lëvizë ajo – nuk mund të bënim gjithë atë rrugë vetëm për të qëndruar në parkingun e makinave, sepse janë njëqind hapa të pjerrëta deri në rërë. Ndërsa kërkoj për vegëza të dobishme në të cilat mund të klikoj për opsione të ndryshme të lokacionit dhe rrugëve, telefoni im më thotë se do të më ofrojë një “Përmbledhje të inteligjencës artificiale [AI]”. [AI Overview.]


Çfarë është kjo magji? Telefoni im nuk po më ofron lidhje me ekspertët e navigimit ose akomodimit; vendosi vetë se si do ta paketojë dhe si do të ma ofrojë atë informacion në një fjalim të ngjashëm me atë të njeriut. Nuk kam nevojë të kërkoj më tej, Google ka bërë kërkimin dhe ka menduar për mua. E ka “marrë” një këndvështrim, një qëndrim të krijuar nga Gemini – një model i madh i AI-së në gjuhë që përdor analizën e të dhënave të miliarda strukturave të fjalive për të dhënë përgjigje. Mbështetet në përmbajtjen e internetit, si material burimor.

Dhe, është paksa rrëqethëse.

Për të qenë i qartë, më pëlqen Google dhe e kam mbuluar me shkrime gjigantin e teknologjisë në pjesën më të madhe të historisë së tij 26-vjeçare. Ata e marrin seriozisht misionin e tyre për të “renditur informacionin e botës”, për të dhënë produkte të jashtëzakonshme, për t’u angazhuar me kritikët e tyre, ndërsa te emri Demis Hassabis, shefi ekzekutiv i biznesit të tyre të AI-së, DeepMind, ata kanë një nga udhëheqësit më të thellë dhe më etikë të botës së teknologjisë.

Falë Zotit, njeriu me kaq shumë ndikim në drejtimin e ardhshëm të asaj se kush jemi ne – “AI është në ujë”, siç më tha një udhëheqës i teknologjisë – nuk quhet Elon Musk. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të shërojmë sëmundjet, të zbulojmë zgjidhjet për ndryshimet klimatike dhe të drejtojmë qeveritë më me sukses. Por, shfaqja e papritur e AI Overview, kërkimin e bëri të shkurtër. Google mund të mendojë se është “i aftë”, por këtë nuk e kërkova.

Pa dyshim, nuk pres marshime prej milionave në Uestminster për të mbrojtur mënyrën se si kërkimi ofron rezultate për qasje në Uest-Bej, Uest-Suseks. Dyshoj se Nigel Farage mund të krijojë një luftë kulturore për këtë, duke supozuar se ai nuk e ka problem që emigrantët e brezit të dytë si unë të shkojnë në plazhet angleze. Gjë që, kur ta mendosh, ai mund ta bëjë.

Dhe, Google pretendon se Gemini, të cilin kohët e fundit e futi në kërkim me pak bujë, nuk do të japë përgjigje ndaj pyetjeve që gjigandi i teknologjisë i konsideron si “politike”. Kërkoni “çfarë i shkaktoi trazirat në Sauthport” ose “a është Keir Starmer një socialist” dhe nuk ka “përmbledhje të AI-së”, vetëm vegëza tradicionale.

Por, ja pse nuk duhet të lëvizim duke u bazuar vetëm te kjo shtesë e re në dukje e padëmshme. Flet diçka më shumë për revolucionin e AI-së. Kush e përcakton kahun e udhëtimit? Çfarë bën dhe çfarë nuk bën? A na ndihmon të mendojmë? Apo na tregon se çfarë duhet të mendojmë? Për momentin janë Google, Meta, Microsoft, TikTok. Dhe, kemi parë se ku shpeshherë na ka çuar lënia e përgjegjësisë te ta.

Le të marrim vetëm pikën “pa politikë”. Se çfarë e përbën “politikën”, kjo është temë e hapur për debat, një debat që nëse kërkohet, për këtë tashmë Google është mjeshtër. Google dominon më shumë se 81 përqindëshin e tregut global të kërkimit në desktop, një shifër që rritet në 96 për qind në telefonat inteligjentë. Vendim i Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së e përshkroi së fundmi Google-in si dirigjues të një “monopoli të paligjshëm” në kërkim, një qëndrim që ai e hedh poshtë.

Mënyra se si menaxhohen përgjigjet e pyetjeve ka rëndësi për mënyrën se si zhvillohen diskutimet dhe çfarë mund të mendojnë miliona njerëz për tema të ndryshme. Shpërndarja e informacionit politik është ekuivalenti i shekullit XXI për gazetat dhe televizionet e shekullit XX. Kush i kontrollon gypat – dhe çfarë dorëzojnë ato – ka rëndësi.

Akomodimi në Uest-Bej mund të mos jetë shumë i diskutueshëm, por çështjet e tjera janë. Kërko “A është gjë e mirë të punosh nga shtëpia” dhe marr përgjigje nga Përmbledhja e AI-së: gjashtë pikë pozitive, pasuar nga pesë negative. Së pari pozitive – duke kufizuar kështu debatin. “Cilat janë pasojat e ndalimit të duhanit?” – jep vetëm rezultate pozitive nga Koalicioni i Veprimit Pa Tym, Revista Mjekësore Britanike dhe Fondacioni Britanik i Zemrës, edhe pse është e vështirë të dallosh vegëzat me ato organizata. Raporti i Institutit të Çështjeve Ekonomike për kërcënimin ndaj pabeve nuk shihet askund. Buxheti përshkruhet si “analizë e pavarur e situatës ekonomike dhe fiskale të Mbretërisë së Bashkuar”. Dokumentet e politikës buxhetore mund të jenë të tilla – edhe pse partitë opozitare do të grindeshin për këtë – por, “Buxheti”, i cili përfshin deklaratën financiare të Rachel Reevesit në Parlament sigurisht që nuk mundet.

Google thotë se AI Overview është në fazën eksperimentale. Se nuk gabon! Brenda disa ditësh nga publikimi i tij në ShBA, përdoruesit shpërndanin rezultate të çuditshme, duke përfshirë “shtimin e aditivit në picë” dhe “ngrënien e një guri të vogël në ditë”. Në shkurt, Gemini u kritikua për korrigjimin e tepërt të paragjykimeve të qenësishme racore në internet, kur prodhoi imazhe të Etërve Themelues [të ShBA-së] që ishin me ngjyrë.

Përmbledhja e AI-së do të thotë gjithashtu se rezultatet e kërkimit shtyhen më poshtë në faqe ose janë aq të vogla saqë janë të lehta për t’u injoruar. Kjo ndryshon ekonominë delikate të kërkimit, duke dëmtuar bizneset që prodhojnë përmbajtjen në të cilën mbështetet Google për të fuqizuar biznesin e tij shumë fitimprurës. Asnjë klikim në vegëz nuk do të thotë të ardhura më të ulëta për ata që shpenzuan paratë për prodhimin e përmbajtjes në radhë të parë.

Google nuk është vetëm. Javën e kaluar Apple njoftoi se ChatGPT – një produkt i ngjashëm me Gemini-n – do të futet në funksionin e tij të kërkimit Siri. Motori i kërkimit Bing i Microsoft-it, tashmë këtë e bën.

Kërkimi është vetëm një pjesë e pyllit të AI-së. Javën e kaluar, qeveria njoftoi se produktet e inteligjencës artificiale do të ndihmojnë mësuesit të planifikojnë mësimet dhe të kontrollojnë detyrat e shtëpisë. Në një intervistë të fundit, Hassabis tha: “Mendoj se mund të kurojmë shumicën e sëmundjeve brenda një ose dy dekadave nëse dizajni i ilaçeve të AI-së funksionon”.

“Kontrollimi i AI-së” është një biznes i vështirë. Këshilli Evropian i BE-së ka miratuar së fundmi traktatin e parë ndërkombëtar për AI-në. Tashmë është kritikuar si mënyrë e shpejtë për të mbytur inovacionin. OKB-ja sugjeron qeverisjen globale për të cilën nuk do të ketë kurrë marrëveshje apo zbatim. Në vitin 2019, Google e braktisi “bordin e etikës së AI-së” pas polemikave se kush duhet të ftohet për të qenë anëtar. Këshilli i brendshëm i etikës sapo ka humbur udhëheqësin.

Një politikan i zgjuar do ta bënte AI-në pjesë të debatit publik të dekadës së ardhshme. Mbretëria e Bashkuar ka argumentuar, në mënyrë të arsyeshme, për qasje “të bazuar në parime”. Siç më tha një burim i teknologjisë, përpjekja për të rregulluar AI-në është si të përpiqesh të “rregullosh matematikën”. Tregjet dhe inovacioni duhet të lejohen të lulëzojnë. Por, teknologjia e madhe duhet të marrë publikun me vete, jo t’i lërë të fiken nga produktet e reja të inteligjencës artificiale të cilat kërcënojnë ta pushtojnë mënyrën se si mendojmë ne si njerëz. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori