Kur “Portokallia” shkrihet me Festivalin e Këngës

Nga: Leonard Veizi
Të them të drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek RTSh për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSh-së së bëjnë edhe të pamundurën për të të çuditur.
-Vezë doni?
- Meqë është gjella më operative dhe me kalori ...
Fillimisht mendova se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja “Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi, gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive, kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.
- Ç’ne “Portokallia në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme. Është - pak a shumë - si të hysh në një godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e traktoristëve.
- Rrusht Mezini…
- Këtu ... Unë jam Rrusht Mezini.
- Jeni lodhur shoku Jorgo.
- Epo nuk i thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi ...
Këto janë batuta filmash. Por, në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më forma, por identiteti.
- Mirë, atëherë, konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, - sugjeronte Andi këngëtari Sotirin, që ishte drejtori i Pallatit të Kulturës.
- Agimi ... ai karagjozi? - u pataks Sotiri.
- Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.
Batutat janë shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, Edhe ashtu, edhe kështu, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.
Sepse, Festivali i Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv, një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.
Dhe, kjo zhvendosje nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve, mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me “shoun”, trashëgiminë me audiencën, identitetin me klikimin.
Dhe, kështu vazhdon të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSh-ja do të ofertojë edhe Ledionin.
- Ec e na jep një dorë në malore.
Jo sepse ata nuk janë profesionistë, por sepse TVSh-ja sillet si një institucion që ka hequr dorë nga vetja.
- Përpara ca kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati.
Ca e çuditshme kjo, apo jo? - shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, pikërisht te filmi Shkëlqim i përkohshëm i regjisorit Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.
- S’ka asgjë për t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon - u justifikua Leloja, që ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin “Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës infermiere.
TVSh, si një institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.
Si konkluzion, më rezulton se TVSh-ja është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme, gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht, duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.
Spektakli më i madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë institucionit, në edicionin e 64-të të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i “Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë. Sepse, pyetja nuk është: pse Salsano? Por, pse gjithmonë dikush nga jashtë.
Ky huazim i përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik nuk investon më në njerëzit e vet, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.
Ndërkohë, TVSh-ja vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh një herë në tri ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të jetflejë në bobinat e viteve ‘70, të padigjitalizuara, të padukshme për brezat e rinj, sikur këto regjistrime të ishin një relike muzeale dhe jo një detyrim publik.
TVSh-ja nuk është më në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSh-ja është në një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan “normalitet”.
Kjo është TVSh-ja sot. Dhe, me sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe jo thjesht emrat në ekran, kjo do të mbetet TVSh-ja edhe nesër: një organizëm i madh, i lodhur, që mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si të notojë vetë.















































