LAJMI I FUNDIT:

Kur ke nge, shti rruaza në pe

Kërkesa e Stefanoviqt për takim zyrtar me institucionalistët kosovarë u pranua me dashamirësi nga Qeveria e Kosovës. Ky nuk ishte një takim i paraparë më herët, as në harmoni me agjendën e bisedimeve dy palëshe të sponzoruara nga BE-ja, të ashtuquajturat bisedime teknike. Beogradi zyrtar nuk i kushtojë ndonjë rëndësi këtij takimi të pakuptimte, (punë e madhe, edhe po ta merrnin më me seriozitet…). Derisa qeveritarët e Kosovës duke u zbavitur me flamujt e ekspozuar…, larg nga sytë e qytetareve (kujdes tash Wikileaks zbulon fshehtësitë!), po mundoheshin në vazhdimësi të mashtrojnë opinionin se takimi me “çatën” serb ishte i suksesshëm, dhe se ky qenka një hap drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës, nga ana e Serbisë. Kanë mbetur shumë gjera të pasqaruara: Ata ose janë të shurdhër dhe nuk dëgjojnë mirë se çka thonë qeveritarët serbë, të cilët kërkojnë publikisht copëtimin e Kosovës (a nuk është kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Kosovës), ose ata nuk kuptojnë as shqip, as serbisht, njëra është!”

Çështja e ekspozimit të publik të flamujve, jashtë rregullave protokollare ndërshtetërore nuk ka edhe ndonjë rëndësi të veçantë, sipas tyre, ngase flamuri i shqiptarëve valonte shqip edhe në kohën e diktaturës komuniste në ndërtesat e qeverisë kosovare kur Kosova kishte autonominë, biles haptas, pa ndonjë censurim fotografish. Flamuri i kuqërremtë me shkabën dykrenore, ngjyrë zezë, si simbol i shqiptareve, por edhe i Autonomisë se Kosovës, dhe flamuri i Serbisë, njiheshin edhe më herët, publikisht njëri me tjetrin, që në kohën e Titos dhe, ky fakt nuk ishte domethënës, ashtu siç po mundohen ta “bindin” ata opinionin.


Vet vizita ishte mjaft mirë e koordinuar nga Beogradi, mu në ditën e mbajtjes së mbledhjes së KS të OKB-së, për të hyrë edhe një herë çështja e Kosovës në agjendën e KS, me iniciativën e Jeremiqit. Serbia i bëri edhe një goditje interesave kosovare, duke spostuar problemin e të pagjeturve dhe atë të varrezave masive me atë të inskenimit të tregtisë me organe të brendshme, dmth çështja e shfarosjes masive kundër shqiptarëve, e orkestruar nga shteti serb, po bastardohej tërësisht duke krijuar si presedan politik akuzën politike kundër kryeministrit Thaçi, për të zbehur edhe më shume shtetësinë e Kosovës.

Paralajmërimet e mëhershme të Thaçit se do të padisë Dickun për akuza të pabaza si duket ishin vetëm fjalë për marketing të brendshëm, aq më keq që ky premtim nuk u përcoll me ndonjë aksion juridik, ngase edhe mediat zvicerane filluan të bëjnë trysni në qeverinë zvicerane duke publikuar të dhëna të reja nga storia e treguar nga Carlla Del Ponte më herët dhe Dick Marty, tash së fundi.

Qeveria edhe pse e dinte më herët reagimin e qytetarëve, ashtu si struci futi kokën në rërë, dhe nuk çau kokën për paralajmërimet e thëna haptazi nga opozitarët e Vetëvendosjes, as nuk ia prishi rehatinë serbit Stefanoviq, edhe poqese paqja në Kosovë do të lëkundej. Këtë fakt e kanë ditur edhe policët në uniformë, prandaj ata detyrimisht duhet të përgatiteshin më mirë për raste të tilla. Është plotësisht normal eskalimi i situatës kur në demonstrim marrin pjesë me qindra pjesëmarrës, ngase motivet e tyre janë të ndryshme, ndër ta ka pasur njerëz familjarët e të cilëve kanë pësuar rëndë nga lufta. E po mirë u mbajt takimi, u bënë llogaritë e thyerjes së xhamave, u lënduan më tepër se 30 veta dhe cili ishte përfitimi politik i Kosovës? A i kishin parasysh këto fakte Qeveria e Kosovës dhe aparati i saj (kreu politik) policia e Kosovës?