LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi për kohën kur Dunhilli prodhohej në Gjilan…

Rrëfimi për kohën kur Dunhilli prodhohej në Gjilan…

Nga: Daut Dauti

Ditëve të mërkura, në mëngjes kur shkoja në shkollë, kaloja nga Kombinati i Duhanit (Gjilan). Këtë ditë, përskaj rrugës e jo brenda oborrit të fabrikës, e shihja një kamion të gjatë (shliper) të parkuar. Kamioni vinte natën ose herët në mëngjes para se të hapej porta e kombinatit. Tabelat e regjistrimit të këtij kamioni kanë qenë të Holandës. Në dy anët e ceradës, me shkronja të mëdha ngjyrë ari, shkruante: Dunhill. Nuk e di nëse ky ‘shliper’ sillte duhan apo vinte për ta marrë prodhimin e cigareve që quhej Dunhill.

Ky lloj i cigareve filloi të prodhohej kah mesi i viteve të ‘70-ta dhe plasohej në tregun e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Cigarja Dunhill ka qenë duhan sipëror dhe shitej në dy lloje të paqetave. Prandaj, ishte shumë i shtrenjtë. Nëse nuk gaboj, një paqetë (20 cigare) Dunhill kushtonte sa pesë paqeta Bozhur që përmbanin 100 cigare dhe i cili lloj, në shumë mënyra, ka qenë simbol i duhanit në Kosovë. Ata që e pinin këtë duhan, kishin para dhe me të e reklamonin statusin e tyre shoqëror. I linin cigaret në tavolinë ose i bartnin në xhepat e këmishës që të dukeshin. Ky lloj i cigareve, edhe kur nuk shihej, dihej që ishte Dunhill nga aroma që lironte tymi i saj. Ata që janë duhanxhi dhe që e kanë provuar këtë lloj të cigares, e dijnë për çka e kam fjalën.


Në kombinatin e duhanit që quhej “Boris Kidriq” prodhoheshin shumë lloje të cigareve për tregun e brendshëm dhe për atë të jashtëm – apo për eksport siç thuhet në gjuhën e ekonomisë. Kurrë nuk e dija pse fabrika e ka këtë emër dhe kush ka qenë Boris Kidriqi. Mendja ma merrte se duhet të ketë qenë një lloj partizani. Para se t’i shkruaja këta rreshta e pashë në Google se ky tipi paska qenë slloven i lindur në Vjenë dhe ndër komunistët dhe organizatorët e aradhave të para partizane sllovene dhe që kishte ardhë puna që me emrin e tij të emërohet një fabrikë ne Gjilan.

Pa marrë parasysh emrin, fabrika ka qenë shumë e rëndësishme për ekonominë e qytetit tonë, për Kosovën e me siguri edhe për Jugosllavinë. Nuk ishte e rëndësishme vetëm për shkakun se aty punonin mijëra punëtorë, por më shumë për faktin se dhjetëra mijëra njerëz tjerë të fshatrave përreth kanë qenë të angazhuar në kultivimin e duhanit që përfundonte në cigare në këtë fabrikë.

Kultivimi i duhanit ka qenë punë shumë e vështirë. ‘Rasadin’ e siguronte shteti si subvencion. Kultivuesit, sasinë e mbjellë në arë e matnin me ‘prava’. Një ‘pravë’ kishte 10 mijë fije duhan dhe mbiellej në 10 ari sipërfaqe. Familjet katër apo pesëanëtarëshe mbillnin deri në katër apo pesë ‘prava’, kurse familjet e mëdha mbillnim deri në 10 apo më shumë ‘prava’.

Pas punës së vështirë të mbjelljes, prashitjes, thyerjes dhe ngjitjes në varg për t’u terur, vinte koha e dimrit kur duhani dorëzohej në ‘Manapoll’. Para fabrikës krijohej një radhë e madhe e qerreve me kuaj apo të tërhequra me shtazë tjera dhe më vonë shiheshin edhe traktorët. Njerëzit pritnin që ekipi i ekspertëve të fabrikës t’ia caktonte klasin e duhanit. Duhani i paketuar në ‘harar’ kishte më shumë vlerë se ai në ‘petica’. Vinte ai eksperti i fabrikës, e fuste dorën në ‘harar’ dhe nga aty nxirrte grushtin e mbushur me fletë të duhanit. Sa më të verdhë që e kishte ngjyrën dhe sa më i terur, aq më i mirë. Ky ishte klasi i parë. Pastaj, vinte i dyti dhe i treti. Pas vlerësimit, njerëzit gëzoheshin nëse klasifikimi ishte i lartë apo dëshpëroheshin nëse ishte e kundërta. Pastaj, të gëzuar i merrnin paratë e mundit të punës së tyre që zgjaste më shumë se gjashtë muaj. Këto para nuk kanë qenë pak. Kultivuesit thoshin se me 50 mijë fije duhan mund të merrnin para më shumë se një punëtor në Zvicër për një vit. Puna ka qenë shumë e vështirë, por kështu mbahej ekonomia dhe pasurohej jeta e njerëzve.

Punën e mundimshme dhe vuajtjet e fshatarëve kultivues të duhanit të periudhës së para Luftës së Dytë Botërore, askush nuk e ka përshkruar më mirë se shkrimtari maqedon Koço Racin. Poezia e tij e fuqishme  ‘Tutunoberaqite’, që në shqip besoj se është përkthyer me titullin ‘Mbledhësit e duhanit’, flet për këtë punë të rëndë.

Sidoqoftë, fabrika më nuk ekziston. Ndërtesat e saja janë shkatërruar ose janë në proces të rrënimit të asaj që ka mbetur me qëllim që të lirohet vend për banesa. Me këtë është rrënuar e tërë kjo ekonomi së bashku me këtë sektor të bujqësisë. Arat kanë mbetur shterpë kurse kultivimi i duhanit ka vdekur. S’ka dert se tash kemi banesa të reja.

Në trend Kultura

Më shumë
145

145

Poezi
E THËNË QARTË

E THËNË QARTË

Poezi
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kur ikin legjendat

Kur ikin legjendat

“Vdekja dhe Vasha” në Skupi Fest

“Vdekja dhe Vasha” në Skupi Fest

Kultura
Monumenti buzë shembjes

Monumenti buzë shembjes

Kulture
Kalo në kategori