LAJMI I FUNDIT:

Kujtesë: 37 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës

Kujtesë: 37 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës

“Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës /e syri i zbrazët në roje sodiste/ dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme” – Jusuf Gërvalla.

Të flasësh hapur në kohë të humbura e të vështira, të kesh guximin e të dalësh para botës duke treguar vuajtjet e kombit i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri Jusufi Gërvalla.


Përgjatë epokave të ndryshme, nga gjiri i kombit tonë kanë dalë figura madhështore, të cilët me veprat e tyre sublime kanë mbetur të përjetshëm. Në historinë tonë më të re, vend të veçantë zënë figurat e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këto tri personalitete, me mençurinë, karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit evropian, të cilët mjerisht u vranë nga dora e armikut. Por, atdhedashuria që kishin, do të mbeten përgjithmonë vlera në kujtesën shqiptare.

Populli shqiptar po jetonte mjerimin nën Jugosllavi dhe kjo gjendje për Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun ishte e papranueshme. Në intervistën e rrallë të Jusuf Gërvallës për prestigjiozen gjermane “Tagische Zeitung”, ai flet haptas për diskriminimin e shqiptarëve nën regjimin serbë.

“Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946 Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të internacionalizmit proletar. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947, u mor vendimi për dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështu që vetë shqiptarët u detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment që është bërë vetëm në Kosovë. Qëllimi ishte që tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve.

Në vitin 1956, derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve të pemëve. Përsa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe. Në popull flitet për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind të rezervave të magnezit. Të gjitha, këto të dhëna, janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj, në Kosovë nuk ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten Kosovës me përfitime të shumëfishta. Dy emigracione të Kosovës…..

Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të vogla, sesa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind. Edhe pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300, që ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht, zhvillimi dhe funksionimi i Kosovës është i orientuar për furnizimin e Jugosllavisë.

Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe. Sipas të dhënave të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë emigrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane. Midis viteve 1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.

“Fillimisht ka pasur diskrimin përmes injorimit të historisë kombëtare. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë sllave, gjë që do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty këtu, u formuan shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe.

Përmes presionit të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështu që u bë shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e mesme. Në vitin 1965 pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, të cilat vërtetë kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë të punësuar kryesisht serbët. Tani rajoni zyrtarisht është dy gjuhësh, serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj që, ndokush që, nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të punësohej fare, por në praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji”.

Mendje ndriturit, vizionarët Jusufi dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u bënë pengesë për regjimin serb, dhe UDB-në.

Ishte e papranueshme për regjimi jugosllav që dikush i këtij kalibri evropian të dilte në pah, pasi që propaganda serbe – si edhe sot – është e prirë t’i paraqesë shqiptarët shpellarë, të pashkolluar, injorantë e të mjerë.

Me 17 janar 1982, në një atentat të planifikuar qëllohen për vdekje në Gjermani, Bardhoshi dhe Kadriu, ndërsa Jusufi plagoset rëndë për të vdekur në rrethana të mistershme në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë.

Për fund po citoj dy vargje nga poezia e Jusuf Gërvallës “Lufta dhe arti”: “Tutje gjithnjë akull/ Këndej gjithnjë zjarr/ Unë jam syri i Aladinit/ E shoh veten si digjem/ në betejën e tmerrshme/ të fjalës/ e të mendimit/ Me shenjtëri të mallkuar/ me përfytyrimin e qartë/ e krijoj/ Në mua shushurijnë dete/ të qena/ në ëndërr”.

Beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar; rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shenjtë për çdo shqiptar.

Në trend

Më shumë
Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Lajme
Dortmundi

Dortmundi "zbrazë" konton e Real Madridit - skuadra gjermane fiton një tjetër pjesë të shumë nga shitja e Bellingham

La Liga

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Lajme
Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Drejtësi

"Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës"- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Lajme
Kalo në kategori