LAJMI I FUNDIT:

Kujdesi në politikë

"Për çdo veprim ka një reagim të barabartë dhe të kundërt" (Isaac Newton). Çdo veprim duhet të bazohet te kujdesi. Ose ndryshe kujdesin duhet kuptuar si mekanizëm për ta kontrolluar ndërgjegjen e një veprimi të çfarëdoshëm si pasojë e rrjedhjes logjike.

Çdo shkencë duhet të bazohet te kujdesi dhe njohja. Edhe politika si veprimtari publike dhe autoritative duhet të bazojë vendimmarrjen e vet te kujdesi. Pushteti shtetëror në realitet duhet të jetë dhe të bazohet në veprime të kujdesshme për të mirën e shtetasve të vet, ngase është përgjegjës në qeverisjen me institucionet.

Me anë të këtij veprimi të kujdesshëm, të gjitha institucionet e shtetit mund të arrijnë më lehtë deri te qeverisja e mirëfilltë, duke e pasqyruar realitetin shoqëror për një ngritje kolektive të vetëdijes politike. Prandaj, politikani duhet të jetë i kujdesshëm për çdo veprim, pasi njëherazi ai është edhe përgjegjës publik me besueshmëri kolektive për t’i realizuar detyrat e çdo qytetari.

Çdo veprim i kujdesshëm mund të forcojë të mirën e përgjithshme shoqërore drejt një ekzistence të lumturuar. Ligji i tretë i Newtonit na mëson se çdo veprim yni duhet të jetë i kujdesshëm dhe i ndërgjegjshëm, pasi veprimet tona janë përgjegjëse për atë se çfarë kemi vendosur ne të bëjmë me ekzistencën tonë. Një veprim i pamatur në politikë mund të përmbysë gjithçka në kohë reale.

Fenomenologjia është studimi i strukturave të përvojës së ndërgjegjshme, së bashku me kushtet përkatëse të përvojës. Pra, paraqitjet e ndryshme në krahasim me realitetin.

Kur po flasim për paraqitjet e ndryshme në krahasim me realitetin, mund të kuptojmë gjendjen reale të një dukurie politike dhe shoqërore. Çdo paraqitje në krahasim me realitetin tregon ecurinë e zhvillimit të një fenomeni. Paraqitjet e ndryshme të shteteve ballkanike në krahasim me realitetin pasqyrojnë një gjendje krejt të hidhur e të paqëndrueshme. Ky realitet shfaq ngufatje politike, ekonomike e sociale.

Paraqitja duket në të gjitha krahasimet e mundshme me plot zbrazëtira. Politikat ballkanike vuajnë nga roli i dominimit ndaj tjetrit. Përgjithësisht, politikat e tilla kanë shumë çështje të kontestuara ndërmjet veti.

Një krizë e tillë që ekziston sot e kësaj dite është edhe kontesti i emrit kushtetues të Maqedonisë me Greqinë. Rrjedhimisht, Maqedonia nuk ka kapacitet të mjaftueshëm politik që ta zgjidhë kontestin e emrit kushtetues me Greqinë, ngase pretendohet të jetë i mangët interpretimi ose argumenti për ballafaqim ndaj çështjes me dëshmi të sigurta historike dhe politike. Në rastin tjetër, Serbia nuk pajtohet me legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe ndërkohë refuzon të pushojë së ekzistuari strukturat paralele në veri. Ndërkohë, Bullgaria konteston gjuhën maqedone dhe nuk pajtohet me autoritetet maqedone në lidhje me trajtimin e pakicave bullgare në vend. Shqipëria po has në rezistencë të fortë për ndarjen e drejtë të kufirit detar me Greqinë, ku kjo e fundit ka pretendime për përvetësimin e një pjesë të kufirit detar si pjesë e detit grek. Gjithashtu, edhe Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në një problem akut politik, ku vështirë se do të gjendet një zgjidhje eventuale dhe konkrete.

Politikat e vendeve të rajonit duhet të përpiqen me çdo kusht ta kuptojnë rolin dhe rëndësinë e veprimit të kujdesshëm në politikë, sepse ky kujdes shërben për të mirën e përbashkët të tyre. Çdo pushtet duhet të kujdeset thelbësisht ndaj çdo veprimi, me të vetmin arsye për të pasur një reagim të barabartë dhe inteligjent në organet e shtetit dhe kudo qoftë!