LAJMI I FUNDIT:

Kufizimet kundër COVID-19 reduktuan sasinë e emetimeve të dyoksidit të karbonit

Kufizimet kundër COVID-19 reduktuan sasinë e emetimeve të dyoksidit të karbonit

Sasia e emetimeve globale të dyoksidit të karbonit (CO2) ra deri në 17% si pasojë e masave të rrepta kundër coronavirusit, në krahasim me mesataren e vitit 2019, sipas një raport të paraqitur nga studiuesit në revistën “Nature Climate Change”.

Sipas ekipit studimor të udhëhequr nga Corinne Le Quere në universitetin e Anglisë Lindore në Britaninë e Madhe, më 7 prill u emetuan 83 milionë tonë CO2 në të gjithë botën për shkak të djegies së karburanteve fosile dhe prodhimit të çimentos. Në vitin 2019, mesatarja ditore ishte 100 milionë tonë.

“Në disa vende, emetimet e CO2-shit ranë mesatarisht deri në 26% gjatë pikut të masave kundër coronavirusit”, shkruajnë studiuesit.


“Kufizimet e coronavirusit çuan në ndryshime drastike në konsumin e energjisë dhe emetimeve të CO2-shit. Megjithatë, rënia ekstreme është ndoshta e përkohshme, sepse nuk u shkaktua nga ndryshimet strukturore në ekonomi, transport ose në sektorin e energjisë”, shpjegoi Le Quere. /kp/Telegrafi/