Ismet Kryeziu nga organizata Demokracia në Veprim (DnV) e ka cilësuar si skandal organizimin e festës për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Konsullata e Kosovës në Shtutgart, në bashkëpunim me Qendrën Islame Shqiptare.
Ai thekson se Pavarësia e Kosovës është një festë kombëtare dhe nuk duhet të lidhet me organizata fetare.
Sipas Kryeziut, përfaqësitë diplomatike të Kosovës duhet ta shënojnë këtë ngjarje në mënyrë institucionale, pa përfshirë organizata fetare, duke e konsideruar këtë rast si një precedent të rrezikshëm.
“Kjo është një situatë e papranueshme, ku një institucion shtetëror bashkëpunon me një entitet fetar për të organizuar një ngjarje që i përket gjithë kombit. Kjo tregon një dështim të institucioneve tona diplomatike jashtë vendit”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu ambasadorët dhe konsujt, duke thënë se shumë prej tyre nuk e kanë të qartë misionin dhe detyrën e tyre si përfaqësues të shtetit të Kosovës.