LAJMI I FUNDIT:

Kriminaliteti multietnik

Si formë posaçërisht e rrezikshme e manifestimit të krimit trajtohet kriminaliteti i organizuar. Kjo dukuri në vendin tonë karakterizohet me një veprimtari dhe shtrirje të gjerë në të gjitha segmentet e jetës, sepse është e lidhur ngushtë me strukturat e pushtetit. Segmentet e pushtetit të lidhur me nëntokën kriminale mbrojnë grupet dhe individë kriminalë nga zbulimi dhe bën ndjekjen e tyre sa për të thëne, i lirojnë nga aktakuzat, i shpëtojnë nga gjykimi ose u ndihmojnë që të dalin para kohe nga vuajtja e dënimit.

Pra grupet e organizuara kriminale duke qen të mbrojtura nga segmentet e pushtetit politik, administrative, policor dhe gjyqësor krijojnë kapital të madh dhe duke krijuar këtë kapital, më pastaj ushtrojnë ndikime shkatërrimtare ndaj ekonomisë së vendit tonë.


Ka kohe qe pjesa veriore e Kosovës është shndërruar në një oaze të krimit të organizuar, në një vend ku krimi është bërë pjesë e përditshmërisë, në një vend ku lulëzon gjithçka pos sundimit të ligjit, duke dëmtuar dhe shkatërruar ekonominë e vendit tonë.

Shtrohet pyetja se cili është aktiviteti themelor i këtyre organizatave kriminale? Aktiviteti i tyre manifestohet në tregtinë me drogë, në organizimin e prostitucionit, në tregtinë me femra, në larjen e parave, në falsifikimin e parave, reketizmi dhe format tjera të rrezikshme.

Problemi i pjesës veriore të vendit po aq sa është politikë është edhe problem ekonomik. Serbia është duke luajtur një lojë të dyfishtë, në njërën anë investon qe në vazhdimësi të ketë tensione politike duke destabilizuar situatën e sigurisë dhe në një gjendje të tillë kriminaliteti të gjejë shtrirje të gjerë, duke përfituar shuma të mëdha parash. Në këtë drejtim Serbia dëshiron qe Kosovën ta paraqet si vatër e krimit të organizuar dhe destabilitetit.

Ndërsa në anën tjetër është duke dialoguar me Institucionet e Kosovës në Bruksel për të fituar sa me shpejtë kandidaturën drejtë Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq ka akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë për kriminalitet, duke u munduar të minimizojë krimin në veri të Kosovës. Zvonko Vesilonoviq dhe vëllai i tij nuk janë të vetmit kriminel në veri të Kosovës qe sulmuan ushtaret e KFOR-it dhe barrikaduan rrugët, me qëllim qe nëntoka kriminale të lulëzojë, andaj ka edhe kriminel të tjerë qe bashkëpunojnë dhe shëtisin lirshëm, duke mos u penguar nga askush.

Kohëve të fundit kriminaliteti multietnik është në formë dhe ka gjet shtrirje të gjerë. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës ka prangosur më shumë se 10 persona të dyshuar, shqiptar e serbë së bashku, të cilët si grup i organizuar kanë vjedhur vetura të ndryshme në pjesë të ndryshme të Kosovës. Ky grup kriminal veturat e vjedhura i dërgonin në veri të Mitrovicës dhe përmes ndërlidhësve bënin kompromise për kthimin e veturave të vjedhura të pronaret, duke përfituar shuma të mëdha të hollash.

Veriu i Kosovës tanimë jo vetëm qe është eksportues i kriminalitetit, por edhe kampion i krimit të organizuar. Institucionet e Republikës së Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të finalizojnë aksionin e filluar disa muaj me parë për vendosjen e rendit dhe ligjit. Pra duhet të zbatohet edhe vendimi i organit me të lartë (Kuvendit) të Republikës së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë.

(Autori ndjek studimet master në Fakultetin Juridik, Drejtimi Civil, në UP)