Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar lajmin se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare për vendin tonë.

Ai ka shprehur mirënjohje për miqtë ndërkombëtarë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces.


“Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare,” ka deklaruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka theksuar nevojën për më shumë miqësi, diplomaci aktive dhe besim në vetvete.

Sipas tij, vizioni izolues duhet të marrë fund, ndërsa Kosova duhet të rikthehet tek politika e jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët strategjikë.

Ministria e Jashtme e Sirisë tha se vendimi për njohjen e Kosovës “buron nga bindja e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga angazhimi i saj për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”.

“Kjo vendimmarrje është pjesë e politikës së Sirisë që synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes ndaj vendeve mike, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta dhe forcon lidhjet e miqësisë midis popujve”, thuhet në njoftim të kësaj Ministrie në X.

Damasku pret "me padurim" vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike ne Kosovën dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në mënyrë që të shërbejë interesave të përbashkëta të të dyja vendeve dhe popujve miqësorë, theksoi ajo.

Siria, për më shumë se një dekadë, ka qenë ndër vendet më të izoluara të botës, e dërrmuar nga lufta civile, dështimi i ekonomisë dhe sanksionet e mëdha ndërkombëtare.

Nga janari i këtij viti, ky vend udhëhiqet nga Al-Sharaa, i cili i kishte udhëhequr luftëtarët e opozitës në rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij.