Krasniqi: Lista Serbe po synon të bllokojë punën në Kuvend

Grupi i deputetëve Multietnik në Kuvendin e Kosovës ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Në emër të grupit Multietnik, deputeti Elbert Krasniqi tha se procedura e votimit të ndarë për nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Madje nënvizoi se nuk pret që Kushtetuesja të kthejë prapa votimin e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga komuniteti jo serb.
Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
Krasniqi, i cili është edhe ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, duke akuzuar Listën Serbe se po synon bllokimin e Kuvendit, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të mos e marrë për bazë ankesën e tyre.
“Për arsye të Listës Serbe, Kuvendi po mbetet peng dhe i bllokuar. Nuk ka asnjë dilemë dhe ne jemi dëshmitarë se Republika e Kosovës është e ndërtuar në frymën multietnike të përfaqësimit afirmativ, duke mbrojtur të drejtat e secilit komunitet. Janë të drejta që na mundësojnë zhvillim të përbashkët dhe këto të drejta nuk duhet të përdoren si veto që mundësojnë bllokadë të njëanshme. Pikërisht për këtë arsye ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me komentet tona në lidhje me ankesën e Listës Serbe. Procedura e zhvilluar deri më tani ka qenë e rregullt dhe gëzon legjitimitet të plotë demokratik. Ne si Grup Multietnik kemi pasur të drejtë të plotë të propozojmë kandidatin tonë në mënyrë të ndarë. Lidhur me këtë, unë kam propozuar zonjën Emilja Rexhepi, e cila është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit... Ndarja e votimit s’ka qenë vetëm preferencë e deputetëve të komuniteteve jo serbe, por ka pasqyruar vullnetin dhe konsensusin e deputetëve në tërësi”, theksoi Krasniqi në konferencë për media të enjten.
Ai tha se Lista Serbe po synon të imponojë një situatë të njëjtë sikur në Bosnjë e Hercegovinë, ku e drejta për komunitetet të shndërrohet në bllokadë.
Sipas tij, nëse merret për bazë ankesa e Listës Serbe, prishet balanci i respektimit të të drejtave të komuniteteve jo shumicë.
“Kjo situatë e cila sot tenton të imponohet nga Lista Serbe është e njëjtë me atë në Bosnjë e Hercegovinë, ku e drejta është tentuar të shndërrohet në bllokadë. Pra, përvoja e Bosnjë e Hercegovinës është dëshmi e duhur se çfarë pasojash të rënda sjell një sistem ku pakica parlamentare mban të drejtën e vetos dhe bllokimin e shtetit... Vendet e garantuara për komunitetin serb nuk mund të interpretohen si monopol i një partie të vetme. Ato kanë garanci të përfaqësimit, por askund nuk duhet të shndërrohen në mundësi sabotimi ndaj institucioneve të Kosovës. Në emër të Grupit Multietnik kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe, pasi kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve jo shumicë dhe përfaqësimin në institucionet e vendit. Andaj vlerësojmë se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund të shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë. Aq më tepër Lista Serbe, që e ka njërën këmbë në Beograd e tjetrën në Prishtinë”, deklaron Krasniqi.
Deputeti nga komuniteti egjiptian tha se ai nuk ka votuar për asnjë kandidat të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Madje, ai akuzoi kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar, Sllavko Smiq, se është zëri, dora dhe syri i kryeterroristit Milan Radoiçiq në Kosovë.
“Po flasim për një person i cili, nëse analizoni profilin e tij, e shihni se kë ka më shumë fotografi. Me terroristin Milan Radoiçiq, është zëri, dora dhe syri i tij në Prishtinë. Këtë nuk mundemi ta pranojmë edhe si komunitete. Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë nga unë apo kushdo tjetër që të votojë ditë e natë për të minuar Republikën e Kosovës”, theksoi ai.
Kuvendi më 26 gusht zgjodhi Dimal Bashën për kryeparlamentar si dhe tre nënkryetarët nga komuniteti shqiptar.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare.
Komente në Kushtetuese kanë dorëzuar edhe presidentja Vjosa Osmani si dhe Lëvizja Vetëvendosje.













































