KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet nesër për të diskutuar dhe vendosur mbi disa çështje të rëndësishme, me theks të veçantë në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025 për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar këtë zhvillim duke theksuar se shpallja e rezultateve përfundimtare është një nga pikat kryesore të rendit të ditës në këtë mbledhje, e cila është paraparë të mbahet të shtunën, më 15 mars 2025.
“Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025. Për orën e saktë të mbledhjes së KQZ-së do t’iu njoftojmë me kohë”, deklaroi Elezi.
Me publikimin e rezultateve përfundimtare, do të hapet edhe rruga për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, si dhe për hapat e mëtejshëm në formimin e institucioneve të reja të vendit. Procesi është ndjekur me interes të madh nga partitë politike, mediat dhe qytetarët, të cilët presin zyrtarizimin e rezultateve për të parë përbërjen e re parlamentare dhe rrjedhimisht drejtimin politik të vendit në vitet e ardhshme. /Telegrafi/


































