Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme mori disa vendime për decertifikim të kandidatëve që më herët ishin certifikuar nga KQZ dhe zëvendësimin e tyre me kandidatë të tjerë, raporton KosovaPress.

Partitë që kishin rekomanduar në KQZ, decertifikim të subjekteve politike ishin Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Alternativa, Lista Guxo, Bashkimi Demokratik, Kosovski Savez dhe Koalicioni Vakat.


Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike tha se kanë shqyrtuar të gjitha dokumentacionet e kandidatëve dhe ka hapur mundësinë për rirenditje të listave.

“Pas pranimit të kërkesave, Zyra ka shqyrtuar dokumentacionin e tyre dhe ka hapur mundësinë për rirenditje të listave, po ashtu edhe zëvendësimin e kandidatëve nga partitë politike të cilat kanë pasur për rirenditje të kandidatëve të subjekteve politike. Andaj duke u bazuar në nenin 29 të zgjedhjeve të përgjithshme Zyra po rekomandon certifikimin e kandidatëve të partive politike. Nga partia politike Lëvizje Vetëvendosje në komunat: Hani i Elezit, Novobërdë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut është kandidati për certifikim… Partia e radhës është Lidhja Demokratike e Kosovës, në komunë Mitrovicë e Jugut dhe Prizrenit”, tha ai.

Në këtë mbledhje kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi njoftoi se KQZ ka pranuar dy ftesa për pjesëmarrje.

Njëra në punëtorinë rajonale të ODIHR me temën “Ruajtja e Integritetit Zgjedhor në Ballkanin Perëndimor – Forcimi i Mbikëqyrjes dhe Rritja e Besueshmërisë e cila do të mbahet në Varshavë, nga 16 deri më 17 shtator 2025), si dhe u miratua pjesëmarrja e KQZ-së në Programin e Vizitorëve për Zgjedhjet e Këshillave të Qeverisjes Lokale 2025 në Tallinn, Estoni, 17–20 tetor 2025. /KP/