KOSTT nënshkruan kontratën për nënstacionin e ri 220 kV në Malishevë, investim mbi 6.7 milionë euro

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë (KOSTT) ka nënshkruar sot kontratën për ndërtimin e nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, një projekt kapital me vlerë 6,763,766.04 euro, i financuar plotësisht nga vetë kompania.
Projekti përfshin instalimin e një transformatori 40 MVA dhe linjën e re të kyçjes 220 kV, duke e lidhur për herë të parë komunën e Malishevës me rrjetin e tensionit të lartë 220 kV. Kjo nënkupton kapacitete shumë më të mëdha të furnizimit dhe një stabilitet të shtuar, krahas rrjetit ekzistues 35 kV.
Sipas KOSTT-it, investimi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset e Malishevës, përfshirë cilësi më të lartë të energjisë elektrike, siguri më të madhe të furnizimit dhe mbështetje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal.
Në nivel kombëtar, nënstacioni do të rrisë besueshmërinë e operimit të sistemit, do të ulë varësinë nga linjat e tensionit të mesëm, do të reduktojë humbjet teknike dhe do të forcojë sigurinë operacionale, duke kontribuar gjithashtu në përmbushjen e kriterit rëndësishëm N-1. Projekti krijon edhe hapësirë më të madhe për integrimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, në përputhje me objektivat afatgjata energjetike të vendit.
KOSTT ka paralajmëruar se afati i planifikuar për përfundimin e punimeve është rreth 13 muaj nga nisja e projektit.


















































