Kosovë - Shqipëri përcillet me emocione të përziera

Si motiv i nismës për aranzhimin e miqësores është përmendur vazhdimi i festës së nisur në Jerevan të Armenisë, e vazhduar në Tiranë. Mbyllja e festës së Shqipërisë për kualifikim në "Euro 2016" është paraparë të bëhet në Prishtinë, shkruan kohaditore.
E këtë mezi po e presin dy nga lojtarët e Kombëtares që dhanë shumë për suksesin e saj - kosovarët Mërgim Mavraj e Burim Kukeli.
Ata të martën për gazetën kanë thënë se do të kenë emocione të përziera ku të përballen me Kosovën, vendlindjen e tyre.
"Kur kam dëgjuar se do të zhvillohet kjo ndeshje jam befasuar, por në anën tjetër është një gjë e logjikshme të festojmë suksesin së bashku për ta shpërblyer popullin e Kosovës dhe njëkohësisht Federata Shqiptare e Futbollit ta nderojë Kosovën për kontributin e dhënë. Do të jetë një ndeshje festive.
Është lojë domethënëse në momentin më të suksesshëm të Shqipërisë për të qenë pranë njëri-tjetrit. Është kënaqësi për çdo futbollist të luajë në këtë ndeshje. Ka emocione të përziera.
Në një anë është kënaqësi të luash në Kosovë, por në anën tjetër është edhe emocion i veçantë të luash kundër vendit tënd. Është vështirë të ndash emocionet, por përfundimisht ne jemi një komb, një popull, një shtet dhe një kombëtare", ka thënë Mavraj.



















































