LAJMI I FUNDIT:

Kosova nuk ia del me Lituaninë në start të eliminatoreve

Kosova nuk ia del me Lituaninë në start të eliminatoreve

Kosova ka nisur me humbje eliminatoret për botërorin e hendbollit "Franca 2017". Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën mbrëma në Gjakovë u mposht nga Lituania me shifrat 30:26.

Kosova për herë të parë paraqitet në kualifikime për botëror, ndërsa bën pjesë në Grupin e Parë, ku gjenden edhe Bosnja e Sllovakia. Vetëm fituesi i grupit kalon në raundin tjetër kualifikues, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova më herët është paraqitur në kualifikime për evropian dhe ka përfunduar e fundit, prapa Rumanisë e Italisë.

Në kampionatin e vendeve në zhvillim doli e treta. Por, të mërkurën nuk pati forcë për të befasuar Lituaninë, që llogaritet favorite e grupit të parë. Megjithatë paraqitja e Kosovës u vlerësua dhe humbja me katër gola dallim nuk vlerësohet e lartë.

Kosova hapi mirë ndeshjen, por në minutat e fundit të pjesës së parë lituanët ia dolën të shkëputen në rezultat. Pjesa e parë përfundoi me shtatë gola dallim në të mirë të Lituanisë.


Në pjesën e dytë, Kosova u paraqit mirë dhe në shumë raste ia doli të ngushtojë epërsinë në tre gola. Por më shumë nuk ia doli të afrohet, me gjithë përpjekjet. Kosova pati momentet e saj të mira, ndërsa pati përkrahje të madhe, përkrahje të madhe nga rreth 1.500 shikues të mbledhur në palestrën "Shani Nushi".