LAJMI I FUNDIT:

Kosova në ‘dyert’ e Interpolit

Kosova në ‘dyert’ e Interpolit

Kosova edhe një herë ia ka mësyrë anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), Asambleja e Përgjithshme e së cilës, mban punimet prej 15 deri më 18 tetor në Kili. Nikoqiri i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, ditë më parë ua ka dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.

Megjithatë, zyrtarët e zyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës në largim, Behgjet Pacolli, nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, lidhur me përgatitjet dhe gjasat e vendit për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

Por, ndarjet brenda kësaj ministrie, lidhur me atë nëse Kosova duhet të tentojë gjatë këtij viti anëtarësimin e saj në këtë organizatë, kanë qenë të dukshme qysh më herët.


Anton Berisha, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës në detyrë, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe më herët ka shprehur qëndrimin e tij, nuk është mirë të sfidohet Kosova, përderisa nuk është arritur një masë kritike e pajtueshmërisë me partnerët e vendit për arritjen e një rezultati.

“Unë kam rezerva në vazhdimësi për të shkuar në këtë proces. Në qoftë se do të ketë sukses, kjo do të jetë meritë e atyre që e kanë shtyrë (procesin) dhe jo e imja. Por, nëse nuk kanë sukses, unë nuk marrë përgjegjësi sepse unë mendoj që duhet analizuar situata në përmasa reale. Politika dhe diplomacia janë reale dhe nuk janë dëshirë. Jam shumë skeptik për suksesin”, tha Berisha.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që për anëtarësim në INTERPOL, Kosova nuk ka pengesë politike, në kuptimin që nuk është kusht për anëtarësim në këtë organizatë të qenit ose jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, sipas tij, Kosova i plotëson edhe kriteret operacionale dhe teknike për të qenë pjesë e kësaj organizate policore. Por, siç thotë ai, problemi kryesor në këtë rast për Kosovën është beteja politike për të siguruar votat e dy të tretave të anëtarëve të INTERPOL-it, të nevojshme për anëtarësim, që nënkupton votat e 120 deri në 126 vendeve. Këto vota, siç thotë Muja, Kosova nuk kishte arritur t’i sigurojë në tentimin e vitit të kaluar për anëtarësim, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që u mbajt në Dubai dhe situata , sipas tij, nuk duket të jetë e favorshme për Kosovën as në tentimin e këtij viti, në Kili.

“Unë mendoj që ka qenë një hap i ngutshëm sepse jam më se i bindur që edhe brenda dikasterit qeveritar e dinë sigurt që nuk kanë votat e mjaftueshme për të kaluar dhe në këtë rast, pa qenë të sigurt, është vetëm edhe një fiasko e llojit të UNESCO-s, të herës së kaluar. Edhe ky aplikimi i ri, pa qenë të sigurt, vetëm se e poshtëron Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe e zbeh pozicionin e saj gjatë dialogut (me Serbinë)”, tha Muja.

Ai ka shtuar që për të realizuar ambiciet për anëtarësim në INTERPOL, diplomacia e Kosovës është dashur të punojë ngushtë me aleatët perëndimorë, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur në qeverisjen e kaluar. Për më shumë, sipas tij, relacionet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës me partnerët perëndimorë, janë zbehur.

Megjithatë, njohësit e aspekteve të sigurisë në Serbi, konsiderojnë që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte me përfitim edhe për Serbinë, në rast se ekziston qëllimi serioz në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë.

Maja Bjelosh, hulumtuese në Qendrën për politika të sigurisë në Beograd, thotë se një nga arsyet pse Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL është pikërisht e kundërta e këtij qëllimi.

“Autoritetet e tanishme në Beograd nuk kanë interes që të luftojnë kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në hapësirën që nga Prizreni e deri në Suboticë dhe për këtë arsye nuk kanë as interes që të vendosin bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë”, thotë Bjelosh.

Ajo shton që “arsyeja për këtë qëndron, përveç tjerash, edhe në atë që një pjesë e grupeve kriminale në territorin e Kosovës, pjesërisht e përbëjnë përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilën e mbështetë Beogradi”.

Bashkëpunimi i policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, sipas saj, do t’i kontribuonte zgjidhjes së problemeve me grupet kriminale dhe të sigurisë në territorin e Serbisë dhe të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për vetë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Bjelosh thekson që këtë duhet parë në kontekst të gjerë, pavarësisht asaj që dëshiron ose jo Serbia, sepse pranimi i Kosovës në këtë organizatë varet edhe nga shtetet tjera, para së gjithash Rusisë.

“Rusia herën e kaluar me votën e saj e ka ndaluar procesin, por Rusia nuk e ka hequr nga agjenda e ditës çështjen e pranimit të Kosovës në INTERPOL dhe në qoftë se kjo ndodhë sërish, ky mund të jetë sinjal që Rusia edhe më tej ka një potencial më të fortë negociues lidhur me Kosovën”, theksoi Bjelosh.

Lidhur me fushatën negative, të cilën Serbia po e bën kundër Kosovës, Bjelosh konsideron që ajo fushatë, në asnjë mënyrë nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ajo që nuk është mirë për vetë Serbinë, është fakti se po bën fushatë kundër Kosovës, gjë që është vlerësuar në mënyrë të qartë si negative për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Kjo nuk çon drejt dialogut konstruktiv dhe në qoftë se kjo fushatë vazhdon, ajo nuk do të krijojë atmosferë të përshtatshme për hapjen e dialogut dhe arritjen e çfarëdo marrëveshjeje”, theksoi Bjelosh.

Serbia e ka nisur fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL menjëherë pas përsëritjes së kërkesës nga Kosova në janar të këtij viti dhe është intensifikuar në fund të verës. Në atë kohë, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, në një takim të përbashkët “janë marrë vesh për aktivitetet konkrete” kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Më pas, kanë pasur një varg takimesh të Stefanoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të huaja në Beograd, prej të cilave takime, përmes komunikatave zyrtare kanë porositur që “pranimi i Kosovës në INTERPOL do të sillte pasoja të dëmshme për vetë INTERPOL-in dhe anëtarët e tij, si dhe do të sillte keqpërdorimin e bazave të kësaj organizate ndërkombëtare policore”.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

Lajme
Kalo në kategori