LAJMI I FUNDIT:

Kosova ende pa një databazë publike për personat e pagjetur

Kosova ende pa një databazë publike për personat e pagjetur

25 vite pasluftës, shteti i Kosovës ende nuk e ka një databazë të zhvilluar dhe të hapur për publikun në lidhje me personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ministria e Financave ka një databazë të vetën rreth familjarëve të personave të zhdukur, për shkak të pensioneve që shpërndahen, por një e tillë e qasshme për publikun ende nuk ekziston. Të dhënat për personat e pagjetur mungojnë edhe në web-faqen e Qeverisë së Kosovës.

Aktualisht të dhëna rreth personave të pagjetur dhe familjeve të tyre ka organizata “Fondi për të Drejtën Humanitare”, ndërsa Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur thotë se një databazë e brendshme ekziston, por për një të unifikuar dhe publike, sipas tyre, është duke u punuar.


Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë, për herë të parë ka përfshirë si statistikë edhe dëmet nga lufta e fundit në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave, që përfshinë periudhën 28 shkurt 1998 – 11 qershor 1999, si pasojë e luftës në Kosovë janë vrarë 11 mijë e 417 njerëz; janë zhdukur 1 mijë e 407 persona; janë plagosur 6 mijë e 682; janë burgosur 3 mijë e 312; si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193 mijë e 765 njerëz.

Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në dialog, janë pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën për Personat e Zhdukur.

Kjo deklaratë e përbashkët në mes të dyja shteteve, ishte miratuar në maj të vitit 2023 në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime si: Qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Komisioni Qeveritar japin dy shifra të ndryshme, rreth asaj se sa persona aktualisht konsiderohen të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-99.

Bekim Blakaj, drejtor i organizatës, dega në Kosovë, thotë se sipas publikimit të fundit të organizatës në korrik të 2024-ës, në Kosovë konsiderohen ende të zhdukur 1 mijë e 636 persona. Në këtë shifër të dhënë nga Blakaj nuk janë përfshirë identifikimi i tre personave të gjetur të cilët figuronin të zhdukur nga lufta në Kosovë, e që janë rivarrosur më 1 korrik dhe 14 tetor në Drenas.

“Ne kemi publikuar “Libër Kujtimi e Kosovës” në edicionin “Dinjitet për të Zhdukurit” në korrik të këtij viti dhe në atë libër janë narrativët mbi rrethanat e zhdukjes së 1 mijë e 636 personave. Pra në databazën e përbashkët  janë 1636 persona të cilët janë raportuar si të zhdukur. Rreth 1 mijë e 200 prej tyre janë shqiptarë, diku 415 janë serb dhe disa dhjetëra të tjerë janë rom, ashkalinj dhe egjiptian dhe komunitete të tjera”, ka thënë Blakaj.

Blakaj thotë se kanë qenë të fokusuar vetëm në kategorinë e viktimave që kanë humbur jetën apo janë zhdukur gjatë luftës.

“Metodologjia ka qenë që ne, hulumtuesit tanë kanë shkuar në teren dhe kanë intervistuar familjarët e viktimave dhe dëshmitarë okularë. Deri më tani janë mbi 20 mijë intervista që janë bërë me të mbijetuarit, me familjarë apo me dëshmitarë të tjerë. Gjithashtu kemi mbledhë edhe dokumentacione të tjera nga burimet primare siç janë gjykatat dhe institucionet e tjera. Gjithashtu kemi mbledhur informacione dhe nga organizatat joqeveritare vendore ose ndërkombëtare dhe çfarëdo informacioni sekondar që kemi mujt me mbledhë…”.

Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur jep një tjetër shifër nga ajo e Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Aktualisht janë edhe 1 mijë e 595 persona të zhdukur, numër që varion këto ditë sepse kemi pranuar rezultate të tjera të ADN-së. Ju e dini se nga lufta janë dalë mbi 6 mijë persona të regjistruar të zhdukur, duke përfshirë edhe ata që kanë qenë në burgje të ndryshme të Serbisë, që pastaj kanë dalë të gjallë”, ka thënë Hoti.

Hoti thotë se zbardhja e fatit të të pagjeturve është një proces kompleks.

“Është ndoshta procesi më i ndjeshëm aktualisht në Republikën e Kosovës, është një proces që fatkeqësisht në institucionet e Kosovës nuk është që e kanë pasë në kompetencë deri në vitin 2018. Ka qenë fillimisht në ICTA kjo e Hagës, pastaj ka qenë në UNMIK, pastaj ka qenë në EULEX. Organizata të ndryshme që kanë operu në Kosovë, ndërsa prej vitit 2018 është tek ne”.

Hoti thotë se Kosova ka marrë donacion një databazë nga Komisioni Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, por që nuk është e unifikuar dhe nuk është ende e qasshme për publikun.

“Nuk është që nuk ka qenë një databazë, nuk ka qenë një databazë publike, ka qenë një databazë që ne e quajmë AMPM, por që nuk ka qenë ndoshta e unifikuar në mes të institucioneve të tjera të Kosovës” – ka thënë ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare e konsideron si dështim që shteti i Kosovës nuk e ka një databazë publike.

“Mendoj që është një dështim që edhe 25 vjet pas luftës të mos ketë një databazë elektronike apo një softuer ku mund të futet të dhënat mbi të vrarët, të zhdukurit dhe kategoritë e tjera të viktimave të luftës”, ka thënë Blakaj.

Silvana Marinkoviq, aktiviste e shoqërisë civile nga Graçanica, thotë se edhe pse ka pasur propozime dhe se kapacitetet e shtetit nuk mungojnë, por sipas saj, mungon vullneti politik.

“Propozime ka, para se gjithash, interesim. Sa i përket kapaciteteve, ata nuk duan t’i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre, sepse mjafton që dihen vendet e mundshme të varrezave masive dhe kjo është e mjaftueshme që të fillohet me diçka. Pra, ata kanë informacione të mjaftueshme, nevojitet vetëm vullneti politik dhe kjo çështje mund të zgjidhet shumë shpejt”, ka deklaruar Marinkoviq.

Ahmet Grajçevci – Kryetar i Këshillit Koordinues të Familjeve të të Zhdukurve ka qenë mjaft kritik karshi institucioneve të Kosovës, në lidhje me të dhënat për personat e zhdukur dhe formimin e një databaze.

“Kosova ende edhe 26 vite po bëhen, që nuk e ka një databazë që është turpi i gjithë atyre që punojnë aty dhe marrin rrogë aty. Ndërsa sa i përket mënyrës lokale në komuna, çdo organizatë e ka databazën e vetë, edhe për të plagosurit, edhe për të vrarët. Do të thotë më përfundimtare e ka Këshilli koordinues një databazë për gjitha viktimat, se Qeveria e Kosovës. Pse? Aty unë nuk e kuptoj pse njerëzit marrin rroga, zënë vendin e punës dhe nuk i kryejnë detyrat e shtëpisë. Por ne si duket çështjen e luftës dhe çështjen e krimeve të luftës kemi marrë në thu që nga fillimi”.

Kritik ndaj institucioneve është shprehur edhe Bajram Qerkini, një qytetar nga Mitrovica, i cili është shndërruar në simbol të personave të pagjetur në Kosovë.

“Për arsye se nuk janë serioz me i qitë taman qysh duhet, me shku nëpër regjione, pritojnë me shku karrigen e me ardhë këtu taman me e bo regjistrin qysh duhet me Komunën e Mitrovicës me regjion, jo veç të Mitrovicës, por me regjion”, ka deklaruar Qekini.

Krijimin e një databaze gjithëpërfshirëse ka synim ta bëjë edhe Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, që është funksionalizuar si Institut në nëntor të vitit 2023, e që udhëhiqet nga Atdhe Hetemi.

Sipas Hetemit, qëllimi i këtij Instituti është që përdoren databazat e zhvilluara nga organizatat e ndryshme dhe të krijohet një databazë më gjithëpërfshirëse.

“Qëllimi i jonë si Institut është që duke i përdorur të gjitha të dhënat ekzistuese edhe databazat e zhvilluara nga organizatat e ndryshme, përfshirë lokale qofshin ndërkombëtare për këtë çështje, edhe ne të kontribuojmë ta zhvillojmë do të thotë databazën që është më gjithëpërfshirëse dhe që është më e saktë”, tha ai. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

Siguri
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Drejtësi

"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri

Siguri
Pasaporta e Shqipërisë renditet e 43-ta në botë, shqiptarët mund të udhëtojnë në 123 vende të botës pa viza

Pasaporta e Shqipërisë renditet e 43-ta në botë, shqiptarët mund të udhëtojnë në 123 vende të botës pa viza

Lajme
31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

Drejtësi
Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Drejtësi
Kalo në kategori