Korrupsionit në FIFA mund t'ia shohë sherrin edhe Kosova

Në FFK kanë nisur të frikësohen se procesi mund të hasë në pengesa. Nëse ndodh kjo, atëherë Kosova nuk do të zinte eliminatoret për Botërorin 2018
Në momentin kur për Kosovën qetësia në organizatat ndërkombëtare të futbollit do të ishte shumë e vlefshme, FIFA e UEFA po kalojnë ditë mjaft të vështira me zhvillime që vlerësohen shumë të komplikuara, shkruan kohaditore.
Aktualisht presidenti i FIFA-s (Federatës Ndërkombëtare të Futbollit), Sepp Blatter, dhe presidenti i UEFA-s (Konfederatës Evropiane të Futbollit), Michel Platini, janë të suspenduar nga Komiteti Etik i FIFA-s pas dyshimeve për keqpërdorime financiare.
Kjo bën që fokusi i FIFA-s e UEFA-s të jetë tejkalimi i krizës së brendshme dhe po ashtu nënkupton më pak kohë për çështjet më të vogla, ku mund të përfshihet edhe pranimi i Kosovës, fillimisht në UEFA e më pas edhe në FIFA.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vite që angazhohet për pranim në UEFA e FIFA. Aktualisht nga FIFA ka leje për të luajtur miqësore, ndërsa UEFA çështjen e pranimit të Kosovës e ka bartur nga Komiteti Ekzekutiv te Kongresi i ardhshëm që mbahet më 23 mars. Në FFK vlerësojnë se pranimi është fare pranë, por kur ka mbetur të bëhet vetëm edhe hapi i fundit, gjendja në FIFA e UEFA është komplikuar mjaft.



















































