Koreografi, kulturë dhe kreativitet - “Dancing House” nga Gjilani përfaqëson Kosovën në skenat ndërkombëtare

Shkolla e Vallëzimit Modern “Dancing House” nga Gjilani vazhdon të përfaqësojë denjësisht qytetin dhe Kosovën në ngjarje të ndryshme vendore e ndërkombëtare me performanca artistike mbresëlënëse.
Në një intervistë për Telegrafin, koreografja e shkollës, Naski Ahmeti, bëri të ditur se më 31 maj do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar në Shtip të Maqedonisë së Veriut, ku do të marrin pjesë 27 fëmijë nga “Dancing House”.
“Shtipi do të mbledhë grupe vallëzimi nga vende të ndryshme si Bullgaria, Serbia, Maqedonia, Greqia, Polonia, Bosnja, Hungaria dhe Ukraina, duke e kthyer festivalin në një përvojë të paharrueshme kulturore për fëmijët tanë”, u shpreh Ahmeti.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, shkolla do të mbajë dy performanca të veçanta.
Fillimisht, një koncert në Albi Mall në Gjilan nga ora 13:00 me koreografi festive për fëmijë dhe prindër, dhe më pas pjesëmarrje në festivalin “Lyra”, ku do të performojnë së bashku me grupe të tjera të fëmijëve nga vendi.
Ahmeti po ashtu njoftoi se së shpejti do të prezantojnë shfaqjen koreografike “Ekranet mes nesh”, e cila përmes vallëzimit modern, ndriçimit dhe projeksioneve vizuale, do të trajtojë ndikimin e teknologjisë tek fëmijët. “Besojmë se kjo do të jetë një nga shfaqjet më të veçanta të vitit”, theksoi ajo.
Ditë më parë, “Dancing House” mori pjesë edhe në hapjen zyrtare të sezonit veror në qytetin e Lezhës, ku performanca e tyre u prit me entuziazëm të madh.
Në përmbyllje, Ahmeti shtoi se shkolla ka pranuar ftesa të shumta për pjesëmarrje në festivale jashtë vendit dhe janë duke i planifikuar me kujdes për t’i realizuar brenda këtij viti artistik. /Telegrafi/


















































