LAJMI I FUNDIT:

Koreja e Jugut heq Deepseek nga dyqanet e aplikacioneve për shkak të shqetësimeve të privatësisë

Koreja e Jugut heq Deepseek nga dyqanet e aplikacioneve për shkak të shqetësimeve të privatësisë

Koreja e Jugut ka ndaluar shkarkimet e reja të chatbot-it të inteligjencës artificiale (AI) të Kinës DeepSeek, sipas mbikëqyrësit të mbrojtjes së të dhënave personale të vendit.

Agjencia qeveritare tha se modeli i AI do të bëhet sërish i disponueshëm për përdoruesit e Koresë së Jugut kur të bëhen “përmirësime dhe zgjidhje” për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet e vendit për mbrojtjen e të dhënave personale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një javë pasi u bë tituj globalë, DeepSeek u bë jashtëzakonisht i popullarizuar në Korenë e Jugut, duke u ngjitur në krye të dyqaneve të aplikacioneve me mbi një milion përdorues javor.


Por rritja e popullaritetit të tij gjithashtu tërhoqi vëmendjen nga vendet në mbarë botën të cilat kanë vendosur kufizime në aplikacion për shqetësimet e privatësisë dhe sigurisë kombëtare.

Komisioni për Mbrojtjen e Informacionit Personal të Koresë së Jugut tha se aplikacioni DeepSeek u bë i padisponueshëm në App Store të Apple dhe Google Play të shtunën në mbrëmje.

Kjo erdhi pasi disa agjenci qeveritare të Koresë së Jugut ndaluan punonjësit e tyre të shkarkonin chatbot në pajisjet e tyre të punës.

E presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok e ka përshkruar Deepseek si një “tronditje”, që mund të ndikojë në industritë e vendit, përtej AI.

Pavarësisht pezullimit të shkarkimeve të reja, njerëzit që e kanë tashmë në telefonat e tyre do të jenë në gjendje të vazhdojnë ta përdorin atë ose thjesht mund ta përdorin atë nëpërmjet faqes së internetit të DeepSeek. /Telegrafi/