Konjufca shkon për ngushëllim te familja Thaçi - e quan ish presidentin njërin prej bartësve më të rëndësishëm për popullin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka shkuar për ngushëllim te familja Thaçi pas vdekjes së babait të ish presidentit, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi.
Ai në një prononcim për Tëvë1 theksoi rëndësinë dhe ndikimin e madh që Haxhi Thaçi ka pasur në formimin e jetës dhe karrierës së presidentit Hashim Thaçi.
“Bacin Haxhi të gjithë e kemi njohur si një patriot të madh e plak të urtë i cili e ka frymëzuar shumë thellë edhe familjen e vet, edhe farefisin edhe këtë pjesë të Drenicës. Mbi të gjitha e ka frymëzuar me patriotizëm djalin e tij Hashim Thaçin i cili ishte president i Republikës së Kosovës, por edhe njëri prej bartësve shumë të rëndësishëm për të cilat kemi kaluar”, ka thënë Konjufca.
Ai gjithashtu ka përmendur rolin e Hashim Thaçit në periudhën e vështirë të vitit 1990, në luftën për liri dhe sot në Hagë, përcjell Telegrafi.
“Edhe gjatë viteve '90 prej lëvizjes studentore, pastaj në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) bashkë me veprimtarët e tij po e mbrojnë kauzën edhe në Hagë me bacin Jakup, me Rexhep Selimin me kryetarin Kadri Veseli kanë qenë në krye të UÇK-së e cila falë luftës së lavdishme solli lirinë, pastaj edhe shpalljen e pavarësisë edhe në të gjitha proceset më të rëndësishme të Kosovës. Kjo nuk do të ndodhte pa dyshim pa inspirimin dhe pa frymëzimin që e kemi prej prindërve tanë ashtu siç presidenti Thaçi e ka pas padyshim prej bacit Haxhi. U kujtoftë gjithmonë, i lehtë i qoftë dheu i Kosovës e u preft në paqe”, ka thënë Konjufca.
Konjufca po ashtu la një shënim në librin e zisë për tashmë të ndjerin, Haxhi Thaçin. /Telegrafi/


















































