Konferenca në Tërstenik sjell ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për arsimin modern

Sot, në ambientet e Sh.f.m.u. “Zenel Hajdini” në Tërstenik, u zhvillua konferenca me temë “Shkollat e shekullit 21 – Mundësitë dhe sfidat”, nën organizimin e mësimdhënësit Kastriot Kastrati.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga disa shkolla vendore dhe ndërkombëtare. Nga shkollat e zonës prezantuan: Ermira Ramaj (Shfmu “Zenel Hajdini” Tërstenik), Nertila Bublaku (Shfmu “Rilindja” Dobroshec), Liman Halilaj (Shfmu “Dëshmorët e Qëndesës II” Tërstenik II), Avni Xhemajli (Gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”), dhe Shqiprim Kastrati (IAAP “Fehmi Lladrovci”), përcjell Telegrafi.
Konferenca gjithashtu përfshiu prezantime nga pesë shkolla ndërkombëtare nga Turqia, Rumania, India, Polonia dhe Uruguai.
Të pranishëm në aktivitet ishin nënkryetari i Komunës, Arben Shala, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, zyrtare për arsim Laura Vrellaku dhe Arbesa Dobra, drejtorë shkollash, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, përfshirë Policinë e Kosovës, Handikos dhe KosEd.
Konferenca u karakterizua nga prezantime të pasura dhe diskutime të thelluara mbi sfidat dhe mundësitë që ofron arsimi në shekullin 21. Organizatorët shprehën mirënjohje për përkrahjen e të gjithë pjesëmarrësve dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimeve të tilla në të ardhmen. /Telegrafi/

















































