Një koncert i shumëpritur i Beyonce-s në Atlanta, Georgia, përfundoi në kaos kur një rrëmujë shpërtheu në një stacion metroje pas shfaqjes, duke lënë të plagosur të paktën 11 persona.

Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut në stacionin Vine City të rrjetit MARTA, vetëm pak metra larg stadiumit Mercedes-Benz, ku Beyonce mbajti koncertin e saj të fundit në kuadër të turneut “Cowboy Carter”.


Sipas autoriteteve lokale dhe zyrtarëve të MARTA-s, rrëmuja nisi kur një vajzë 10-vjeçare nisi të bërtiste nga frika pasi kishte parë një insekt, duke krijuar panik mes turmës së mbushur me fansa, shkruan DailyMail.

Njerëzit filluan të vraponin në panik në shkallët lëvizëse që zbrisnin drejt peronit, të cilat më pas përshpejtuan papritur dhe ndaluan menjëherë, duke shkaktuar përplasje masive.

Në total, 11 persona u lënduan, përfshirë një me thyerje të kyçit të këmbës dhe të tjerë me prerje dhe gërvishtje.

Shtatë u transportuan menjëherë në spital, ndërsa të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore më vonë. Një video tronditëse e ngjarjes tregonte njerëz të rrëzuar në dysheme dhe një këmbë të gjakosur si pasojë e përplasjes.

Kompania e mirëmbajtjes së shkallëve, Schindler, konfirmoi se nuk kishte shenja të mosfunksionimit teknik të pajisjes, por se ajo kishte qenë thjesht e mbingarkuar përtej kapacitetit të saj të projektuar. Ata theksuan se frenimi automatik ishte aktivizuar si pjesë e sistemit të sigurisë.

Për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen, drejtuesit e MARTA-s po shqyrtojnë masa të reja sigurie për evente të mëdha, përfshirë kufizimin e numrit të pasagjerëve në zonat e ndjeshme dhe rritjen e pranisë së stafit dhe policisë në stacionet kryesore.

Beyonce do të vazhdojë turneun e saj me dy netë koncertesh në Las Vegas më 25 dhe 26 korrik. /Telegrafi/