Komuna e Vitisë ka shqyrtuar projekt buxhetin për vitin 2025-2027, derisa ka njoftuar se krahasuar me vitin e kaluar, buxheti ka shënuar rritje.
Drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Milihate Ajeti ka bërë të ditur se për vitin 2025, buxheti pritet të jetë 7.76 përqind në rritje.
“Buxheti për vitin 2025 pritet të jetë 17.945,622 euro, që krahasuar me vitin e kaluar është në rritje për 1,292,431 euro ose për 7.76%” ka thënë Ajeti.
Kurse, sipas saj, në vitin 2026 buxheti do të jetë 18.833,576 euro, derisa në vitin 2027 do të jetë 19.696,968 euro.
“Rritja është reflektuar në grantin e përgjithshëm në vlerë prej 571,047 euro, rritje në grantin specifik të arsimit në vlerë prej 286,421 euro, rritje në grantin specifik të shëndetësisë 193,977 euro”, ka thënë Ajeti, duke theksuar se total grantet kanë rritje prej 1.051,805 euro.
Ajo tutje thekson se sa i përket të hyrave komunale, kanë shënuar rritje në krahasim me vitin 2024 për 240,625 euro.
Në njoftimin, bëhet e ditur se në këtë mbledhje, anëtarët e KPF-së shqyrtuan edhe propozim rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba, propozim vendimin për planin e punës së Kuvendit komunal të Vitisë për vitin 2025, si dhe propozim vendimin për aprovimin e buxhetit të participuar nga fermerët përfitues.
Gjithashtu në këtë mbledhje u përfshijnë edhe dy pika të reja që njëra kishte të bënte me informatën e auditorit të jashtëm dhe një pikë tjetër për transferimin dhe alokimin e programeve buxhetore mes projekteve. /Telegrafi/