Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës ka njoftuar qytetarët, si dhe personat fizikë dhe juridikë të kësaj komune, që kanë pësuar dëme si pasojë e reshjeve atmosferike – vërshimeve, se mund të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë të dëmtuarit duhet t’i lajmërojnë dëmet pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.


Plotësimi i formularit përkatës bëhet në zyrën e pritjes në objektin e ri të Komunës së Malishevës.

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave është 16 janar 2026, deri në ora 16:00.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që të respektojnë afatin e caktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe vlerësimi i dëmeve në kohë.

Njoftimi është bërë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, përkatësisht nga ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Sektorit për Emergjenca, Halit Mazreku. /Telegrafi/