Komuna e Junikut pranon donacion nga KFOR-i italian për zhvillimin e turizmit malor

Komuna e Junikut ka pranuar sot një donacion nga KFOR-i italian, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit malor dhe forcimin e kapaciteteve për aktivitetet në natyrë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, priti në takim Kolonelin Lorenzo Mangia, Komandant i Komandës Rajonale të Perëndimit të KFOR-it (RC-West).
Donacioni përfshin pajisje moderne për bjeshkatarinë dhe aktivitete outdoor, të cilat janë siguruar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Junikut, përkatësisht Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim, dhe KFOR-it italian.
Pajisjet e dhuruara do të jenë në shfrytëzim të Shoqatës së Bjeshkatarisë “Rrasa e Zogut” në Junik dhe pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve për organizimin e aktiviteteve bjeshkatare, si dhe në promovimin e turizmit malor në këtë zonë.
Sipas komunës, përfitimet e këtij donacioni lidhen edhe me rritjen e nivelit të sigurisë për vizitorët dhe turistët që frekuentojnë bjeshkët e Junikut.
Kryetari Shehu ka falënderuar KFOR-in italian për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zhvillimin e projekteve lokale.
“Si Kryetar i Komunës, mbetem i përkushtuar maksimalisht në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, përmes forcimit të bashkëpunimeve institucionale dhe shfrytëzimit të potencialeve natyrore në dobi të qytetarëve dhe vizitorëve tanë”, ka deklaruar ai.
Nga Komuna e Junikut është bërë e ditur se bashkëpunimi me KFOR-in italian do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me fokus në siguri dhe projekte që synojnë përmirësimin e jetës së komunitetit lokal. /Telegrafi/


































