Komuna e Drenasit po keqpërdor stadiumin
Në përgjigjen që ka marrë gazeta të enjten nga Zyra e Shtypit e Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet ndryshe nga ajo që të mërkurën thanë zyrtarët e Komunës së Drenasit dhe ata të klubit të futbollit Ferronikeli.
BE-ja njofton se është bërë pranimi i përkohshëm teknik, kurse ai final do të bëhet pas një viti, pasi të përfundojë periudha e garantimit të punëve, shkruan kohaditore.
"BE-ja ka financuar fushën e sporteve në Drenas me 700 mijë euro. Kontraktori i ka finalizuar punët siç është paraparë me kontratë dhe fusha e futbollit mund të shfrytëzohet. Pranimi i përkohshëm teknik tashmë është bërë, ndërsa pranimi final do të bëhet pas një viti, pasi që të përfundojë periudha e garantimit të punëve. Ndërkohë, Komuna e Drenasit, sipas Memorandumit të Mirëkuptimit që kemi nënshkruar në fillim të projektit, ende ka për të përfunduar lidhjet në rrjetin e infrastrukturës - ujin, kanalizimin e rrymën. Menaxhimi i fushës së sporteve tashmë është krejtësisht përgjegjësi e autoriteteve komunale", thuhet në përgjigjen e Zyrës së Shtypit e BE-së në Kosovë.
Kjo përgjigje e BE-së përgënjeshtron atë që u tha një ditë më herët.





















































