Nga: Eleni Laperi
Sipas Plini Plakut[1], ne nuk jemi të sigurt se si filloi arti i pikturimit. Për këtë ka mendime të ndryshme, po ajo për të cilën jemi në një mendje është se zanafillën e ka te vija e parë që u shënua rreth hijes së një figure njerëzore.[2] Legjenda thotë se, për ta pasur si kujtim shëmbëlltyrën e të dashurit të saj, Kora, vajza e Butadesit nga Korinti, shënoi me një vijë konturet e profilit të djalit, që ishte projektuar mbi murin e shtëpisë, falë dritës së një bishtuku.
Ndërsa legjenda[3] e origjinës së pikturës realiste shqiptare[4] e ka zanafillën në Shkodrën e shekullit XIX. Ajo lidhet me dashurinë e një vëllai, Nikollës, për motrën e tij të vetme, Antonian. Antonia ishte e martuar dhe bashkëshortit të saj italian i pëlqente ta shihte gruan e tij të veshur me veshjet e lehta e praktike të grave qytetare evropiane dhe jo me kostumin e rëndë tradicional të grave katolike shkodrane. E rritur në një mjedis ku gratë visheshin me kostumin tradicional qëkur ishin vajza e deri në fund të jetës së tyre, ajo donte ta kishte një kujtim e veshur me atë kostum.
Nikolla, vëllai i saj piktor dhe fotograf, ia plotësoi dëshirën motrës së tij të vetme dhe e fotografoi me veshjen e rëndë, por të bukur të grave katolike shkodrane. Piktori i ri e pëlqeu aq shumë fotografinë, sa vendosi ta kthente në pikturë bukurinë dhe emocionin, që përcillte qëndrimi i saj dhe veshja e pasur me qëndisma e stoli. Ai e projektoi imazhin fotografik mbi një kanavacë dhe pasi shënoi mbi të konturet[5] e figurës së motrës me veshjen e bukur shkodrane, krijoi tablonë me ngjyra vaji, të cilën sot e njohim si “Motra Tone”, apo si portretin e parë madhor të pikturës shqiptare.[6]
Për vijën e parë të një portreti, që Kora e Korintit shënoi mbi paretin e një muri, Plini Plaku tha se ajo vijë “pllenoi fushën e të dukshmes me farën e reflektimit njerëzor”.[7] Vija, që shënoi Idromeno mbi kanavacën, ku pikturoi “Motrën Tone”, përcaktoi çastin kur shqiptari nisi ta shohë botën si një shëmbëlltyrë të reflektimit të tij mbi natyrën dhe mbi njerëzit rreth tij. Nëse do të përdornim përsëri thënien e Plini Plakut, ajo vijë me të cilën ka nisur portreti i parë madhor i pikturës shqiptare “pllenoi fushën e të dukshmes me farën e reflektimit të shqiptarit”.
Gjesti i vajzës së Butadesit dhe i Kolë Idromenos kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: për të vizatuar mbi mur apo mbi telajo modelin që pozonte për ta, të dy patën ndihmën e një sistemi ndriçimi. Kora e lashtë përdori dritën e një bishtuku për të përftuar projektimin mbi një mur të kontureve të portretit të djaloshit të saj të dashur. Kurse Nikolla, ose Kolë Idromeno, përdori dritën e disa kandilave me vajguri[8] për të realizuar projektimin e imazhit fotografik mbi një telajo.
Dhe kjo ndodhi në Shkodër, në vitin 1883. /Gazeta “ExLibris”/
_________