LAJMI I FUNDIT:

Kokëdhima kundër Ramës për kanabisin: Edhe Kanadaja po e legalizon

Kokëdhima kundër Ramës për kanabisin: Edhe Kanadaja po e legalizon

Kreu i lëvizjes Zgjidhja në PS, Koço Kokëdhima, ka reaguar ndaj strategjisë së shpallur nga Qeveria e Shqipërisë për të luftuar kultivimin e kanabisit.

Në një reagim në Facebook, Kokëdhima thotë se zvogëlimi i prodhimit ilegal të kanabisit nuk do të ndodhë nga lufta e qeverisë, por nga fakti se ka shumë stoqe nga prodhimi i vjetshëm i hashashit dhe se prodhimi i ri vetëm sa do të rrezikonte stokun aktual.

Ai këmbënguli te spastrimi i zinxhirit drejtues të Policisë së Shtetit, duke larguar të gjithë ata drejtues që u implikuan vjet në kultivimin e kanabisit nga mafia.


Ish-deputeti i PS-së që propozoi që në nëntorin 2014 në kuvend legalizimin e kanabisit farmaceutik dhe kthimin e ekonomisë së kanabisit në një ekonomi kombëtare të kontrolluar nga shteti, mori si shembull vendimin e qeverisë liberale të Kanadasë qe do të legalizojë kanabisin farmaceutik dhe rekreativ prej korrikut 2018 duke theksuar se kjo duhej marrë si shembull nga qeveria shqiptare.

Reagimi në facebook:

Edhe një herë për kanabisin

Qeveria prezantoi strategjinë 3-vjeçare “…kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020” me masat, sipas saj, për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend, pë koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta ndërinstitucionale për identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive. Nëse në vitin 2017 do të zvogëlohet shumë prodhimi ilegal i kanabisit, kjo nuk do ndodhë për shkak të luftës së qeverisë, por për interes të ekonomisë kriminale të marijuanës. Zyrtarët e shtetit dhe mafia, kanë stoqe shumë të mëdha hashashi të pashitur. Duan edhe dy vite të tjera që ta eksportojnë. Prodhimi i ri i madh vetëm do të rrezikonte këtë stok që trafikohet çdo ditë në Europë dhe poseduesit e tij. Veprimi publik më dekurajues dhe realisht efektiv për të çrrënjosur lidhjet krim-shtet do të ishte spastrimi i radhëve të Policisë së Shtetit nga zyrtarët që janë l idhur me trafikantët dhe që u krijuan atyre, në 61 bashkitë e vendit, mundësitë që të punonin të qetë, kundrejt përfitimit të 20-30 për qind të sasisë ose vlerës së kanabisit të prodhuar. Tani qeveria jonë ka një ministër të ri të brendshëm, por po ashtu, në Policinë e Shtetit, ka në postet kyç të gjithë tutorët dhe bashkëpunëtorët e mafies së kanabisit. Pa larguar këtë strukturë mafioze nga qeverisja, strategjia e re do jetë mo ta mo si ajo e vitit 2016.

Viti i shkuar ishte i begatë për mafien. Zyrtarisht u tha se gjatë vitit 2016 u sekuestruan 30 tonë kanabis, u asgjësuan rreth 2.5 milionë rrënjë bimë narkotike. Përditë po kapen trafikantë që tentojnë të nisin drejt Italisë, apo Greqisë tonelata të tëra kanabis, edhe pse kryeministri na garantoi se qeveria asgjësoi mbi 98 për qind të sipërfaqes së mbjellë. Sot flitet për bashkëpunim ndërinstitucional, por askush nuk e pengonte qeverinë një vit më parë që të përdorte burimet njerëzore dhe inteligjente të agjencive ligjzbatuese, ndërkohë që Policia e Shtetit u bë tagrambledhësja e këtij biznesi kriminal.

Qeveria, pas shkatërrimit të Lazaratit, gati 3 vite më parë, ende nuk ka një strategji se si të ringjallë bujqësinë, si t’i ndihmojë fermerët që ata të mos kërkojnë mbijetesën duke punuar si argatë te plantacionet e kanabisit për 2-3 mijë lekë në ditë.

Në nëntor 2014, kërkova që bujqësia të subvencionohet me të paktën 150 milionë dollarë në vit. Qeveria ka ndarë vetëm “thërrime” buxhetore për këtë sektor jetik të ekonomisë sonë kombëtare. Kryeministri ynë ka thënë se është e parakohshme ideja ime për të ngritur ekonominë kombëtare të kanabisit, si monopol shtetëror, që do të sjellë të ardhura të mëdha për buxhetin dhe për fermerët e licencuar. Ajo, vit pas viti, ka injoruar tendencën botërore për ta kthyer këtë bimë magjike në fitimprurëse dhe për t’ia hequr mafies nga duart. Ndërkohë që qeveria jonë përgatiste këtë strategji që nuk ndryshon aspak nga ajo e viteve 2012-2016 që kishte Berisha, si protektor politik i Lazaratit, një vend gjigant me ekonomi super të zhvilluar si Kanadaja, vendosi këto ditë që t’i bashkohet hartës botërore të legalizimit të kanabisit farmaceutik dhe atij rekreativ, ku bëjnë pjesë dhjetëra vende, duke përfshirë ed he të rajonit tonë. Nën shembullin e SHBA-ve, qeveria liberale e Kanadasë do ta bëjë legal kanabisin farmaceutik dhe atë rekreativ prej korrikut 2018. Burrat dhe gratë me mend të qeverisë kanadeze hartuan një dokument 106 faqësh dhjetorin e shkuar për legalizimin e marijuanës për ta kthyer edhe atë në ekonomi kombëtare dhe në dobi të qytetarëve. /Telegrafi/