Ka momente kur historia nuk matet me kalendar. Matet me vetëdije. Me një ndjesi të përbashkët se një epokë e re ka trokitur në derë.

Shqipëria dhe Kosova ndodhen sot në një kthesë delikate, ku duhet të zgjedhim nëse do të jemi spektatorë të rrjedhës apo krijues të saj. Kemi kaluar dekada sakrifice. Breza të tërë kanë punuar, duruar dhe besuar për të na sjellë këtu ku jemi, në një tokë ku idetë, liria dhe potenciali për zhvillim nuk janë më ëndrra, por mundësi konkrete. Por, pyetjet që shtrohen janë: çfarë do të bëjmë me këtë moment? A kemi guximin të shohim përtej të zakonshmes, përtej të njohurës? A jemi gati për një vizion të ri?


Në të dy vendet tona, sektorë të caktuar po fillojnë të frymojnë ndryshe. Sektori privat, më dinamik se kurrë më parë, po investon në fusha të reja - nga arkitektura moderne e deri tek teknologjitë e qëndrueshme. Po ndërtohen objekte që më në fund fillojnë të mendojnë, të respektojnë, madje të dialogojnë me natyrën. Materialet e ndërtimit po evoluojnë. Ato që dikur ishin beton i thatë dhe hekur i ftohtë, sot po pasurohen me elementë ekologjikë, me materiale që mbrojnë ambientin dhe që janë ricikluese, duke u bërë pjesë e një cikli që respekton tokën që na mban. Pemët, bimët dhe gjelbërimi që nuk janë më vetëm zbukurim, por janë kthyer në pjesë thelbësore të konceptit arkitektonik - si mushkëritë e hapësirave të reja urbane. Kjo është një shenjë. Por, nuk mjafton.

Nëse duam një të ardhme të shëndetshme, duhet të fillojmë që nga themelet dhe jo vetëm ato të ndërtesave. Rregullore të reja janë të domosdoshme: që të mbrojnë natyrën, të ruajnë shëndetin dhe të garantojnë një jetë me cilësi për fëmijët tanë. Kjo nuk është çështje e luksit, është urgjencë morale dhe ekzistenciale. Duhet të ndërtojmë një sistem që njeh dhe përqafon kulturën si pjesë thelbësore të zhvillimit, jo si një kujtim folklorik i së kaluarës. Modelet e reja shoqërore dhe juridike duhet të kenë të betonuar brenda vetes vlerat kulturore, për të garantuar një identitet të qëndrueshëm dhe koheziv për të ardhmen.

Kemi nevojë për një kulturë të re zhvillimi - jo thjeshtë një plan urban apo ekonomik, por një filozofi të re jetese që vendos të mirën e përbashkët në qendër. Kjo kulturë nuk është abstrakte. Ajo përkthehet në mënyrën si ndërtojmë, si krijojmë hapësira publike, si i trajtojmë të tjerët, si e kuptojmë përparimin. Ky vizion nuk mund të lindë pa e njohur rrënjën: pa e nderuar sakrificën e brezave që kanë ndërtuar para nesh. Të gjithë ata që kanë rezistuar, ndërtuar, duruar dhe ëndërruar, në kushte shumë më të vështira, na kanë sjellë në këtë pikë. Tani është radha jonë të bëjmë diçka me këtë trashëgimi.

Është koha për një frymë të re krijimi, një hapësirë ku idetë ndryshe nuk përbëjnë rrezik, por pasuri, ku krijimtaria nuk shihet si çrregullim, por si shtyllë e zhvillimit. Jemi duke humbur shanse të mëdha, sepse merremi me vogëlsi, me grindje boshe, me retorikë të konsumuar. Ndërkohë, vizionarët që mund të na çojnë përpara mbesin jashtë, të keqkuptuar apo të injoruar. Duhet të krijojmë struktura që i përfshijnë ata - jo thjesht si artistë, arkitektë apo ekspertë, por si bashkëndërtues të një të ardhmeje të përbashkët - ata që shohin përtej kohës, që shohin qytetin si organizëm të gjallë, që nuk mendojnë vetëm për sot, por për brezat që do të ecin nesër mbi rrugët që ne ndërtojmë sot.

Koha e një vizioni të ri ka ardhur. Dhe si çdo vizion i madh, ai kërkon guxim, vetëdije dhe dashuri për jetën. Nuk mjafton të ndjekim modelet e huaja. Duhet të ndërtojmë një model tonin, të mbështetur në vlera universale dhe rrënjë të thella kulturore. Nëse duam që vendet tona të mos jenë thjesht hapësira ku jetohet, por vende që frymëzojnë jetën, atëherë është koha të mendojmë ndryshe, të krijojmë ndryshe dhe të veprojmë me përgjegjësi të re.