Koci për rastin e Mozzik: Në Kosovë nuk ka siguri juridike - kush vendosë se kujt ia heqin orën personale prej dorës, e kujt jo?

Pas bujës që shkaktoi ndalimi i reperit Mozzik nga Dogana e Kosovës për orën e tij luksoze, situata duket se po merr zhvillime të reja.
Avokati i tij, Arianit Koci, ka bërë sërish një postim në rrjetet sociale, teksa ka shprehur shqetësimet për arbitraritetin dhe mungesën e sigurisë juridike.
Ndërkohë, procedurat ligjore dhe hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë, megjithëse mbetet për t'u parë se si do të ecë kjo situatë.
Deklarata e plotë e avokatit Koci, e publikuar në Facebook, është kjo:
“Në Kosovë nuk ka siguri juridike. Askush nuk është i sigurt.
Jam bindur përfundimisht me rastin e Mozzik-ut!
Për më tepër, udhëtarët kontrollohen selektivisht në doganën e aeroportit. Qindra kalojnë çdo ditë me orë të shtrenjta në dorë, e me gjëra personale me vlerë – pa u ndaluar. Por Mozzik-u u ndalua.
A thua pse?
Kush vendos se kë ta kontrollojnë, e kë ta lënë të kalojë? Kush vendosë se kujt ia heqin orën personale prej dorës, e kujt jo? Ky arbitraritet është vetë thelbi i mungesës së sundimit të ligjit.
Më shumë – ditëve në vijim!
Pas takimit në Doganën e Kosovës, një grup burrash punëtorë e të ndershëm që punonin aty afër, na ftuan në pauzën e tyre: bukë, kripë e zemër.
Unë dhe Mozziku e pranuam me kënaqësi.
Dreka më e mirë e vitit – padyshim”. /Telegrafi/



























































